Ekofin.al raportoi pak ditë më parë nismën e Qeverisë për “Paqen Fiskale” të bizneseve, përmes Projektligjit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”, i cili është bërë pjesë së fundmi e paketës shoqëruese të Projektbuxhetit 2026.
Qeveria e sheh si nismën një masë e domosdoshme për të zgjidhur problemin e borxheve të pashlyera, të cilat janë bërë shpesh të papagueshme për shkak të penaliteteve, kamatëvonesave dhe vështirësive financiare të vetë tatimpaguesve.
Çfarë parashikon projektligji
Projektligji përcakton një sërë masash lehtësuese për fshirjen ose shuarjen e detyrimeve. Parashikohet fshirja e plotë e detyrimeve tatimore direkte ose indirekte të papaguara deri më 31 dhjetor 2014, përveç kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Për këto të fundit, do të fshihen vetëm dënimet administrative dhe kamatëvonesat për periudhat deri më 31 dhjetor 2024, përfshirë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, me kusht që kontributi i plotë të paguhet deri më 31 dhjetor 2026. Në të gjitha rastet kur paguhet principali, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen.
Për periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019, parashikohet fshirje e pjesshme në varësi të mënyrës së pagesës: nëse paguhet 50% e detyrimit deri më 30.6.2026, pjesa tjetër fshihet; nëse paguhet 75% deri më 31.12.2026 me këste mujore, fshihet pjesa e mbetur 25%. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.
Projektligji përfshin edhe faljen e detyrimeve për tatimpaguesit që kanë paguar principalin, por u kanë mbetur vetëm gjoba apo kamatëvonesa.
Rregulla të veçanta dhe kategori të përfshira
Projektligji parashikon fshirjen e detyrimeve për tatimpaguesit e çregjistruar në QKB ose në administratën tatimore deri më 31.12.2024, si dhe për gjobat e llogaritura automatikisht për deklarime të vonuara apo mosdeklarime në afat. Këto falje janë të vlefshme me kusht që deklaratat e padorëzuara të dorëzohen deri më 30.06.2026.
Gjithashtu falen gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare, si dhe interesat e krijuara nga ndryshime ligjore apo vendime gjyqësore me efekt prapaveprues.
Ndërkohë projektligji lejon që tatimpaguesit me tepricë kreditore të TVSH-së ose të një tatimi tjetër të përfitojnë nga fshirja pas kompensimit të tepricës, deri në masën e detyrimit të papaguar. Ky kompensim nuk zbatohet për kontributet shoqërore e shëndetësore.
Detyrimet doganore dhe rastet në proces gjyqësor
Projektligji parashikon të njëjtat parime për detyrimet doganore: fshirje e plotë për periudhat deri më 31 dhjetor 2014; fshirje e pjesshme për periudhën 2015–2019, me të njëjtat kushte si për tatimet; për periudhën 2020–2024, falja e gjobave dhe kamatëvonesave është e vlefshme vetëm nëse detyrimi kryesor paguhet plotësisht deri më 31.12.2026.
Po kështu, do të përfshihen edhe detyrimet që janë në proces ankimi administrativ apo gjyqësor, me kusht që tatimpaguesi të tërhiqet nga ankimi apo padia në çdo fazë të procesit.
Përjashtimet nga falja
Nga kjo nismë përjashtohen tatimpaguesit që kanë detyrime të lidhura me vendime gjyqësore të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore apo doganore, ose që janë në proces hetimi apo gjykimi për çështje të tilla gjatë periudhës së zbatimit të ligjit. /ekofin.al
