Qeveria ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2026, i cili shënon një tjetër hap drejt konsolidimit fiskal dhe përshpejtimit të reformave strukturore që mbështesin integrimin europian të vendit. Dokumenti buxhetor është ndërtuar në përputhje me vizionin për një “Shqipëri Europiane”, duke synuar ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, uljen e borxhit publik dhe rritjen e mirëqenies për qytetarët.
Sipas relacionit shoqërues të Ministrisë së Financave, projektbuxheti 2026 mbështetet në katër shtylla kryesore: rritjen ekonomike të qëndrueshme, forcimin e administrimit fiskal, rritjen e investimeve publike, dhe përmirësimin e standardeve të jetesës nëpërmjet rritjes së pagave dhe pensioneve.
Të ardhurat dhe shpenzimet
Të ardhurat buxhetore për vitin e ardhshëm janë programuar në 823.1 miliardë lekë, që përfaqësojnë 29.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me një rritje prej rreth 52.9 miliardë lekësh krahasuar me planin e vitit 2025. Sipas Ministrisë, kjo rritje do të vijë kryesisht si rezultat i përmirësimit të administrimit fiskal, reduktimit të informalitetit dhe zbatimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027.
Ndërkohë, shpenzimet totale parashikohen në 886.8 miliardë lekë, ose 31.9% të PBB-së, me rritje prej 55 miliardë lekësh nga viti aktual. Në këtë kuadër, deficiti buxhetor do të qëndrojë në nivelin 2.3% të PBB-së, ndërsa borxhi publik bruto pritet të ulet në 53.6% të PBB-së, duke ruajtur trajektoren rënëse të viteve të fundit.
Pagat, pensionet dhe buxheti social
Një nga shtyllat kryesore të buxhetit 2026 mbetet rritja e të ardhurave për qytetarët. Qeveria ka parashikuar financimin e plotë të:
• Rritjes së pensioneve, duke e çuar pensionin minimal në 200 euro dhe mesatarin në 400 euro në muaj;
• Rritjes së pagës minimale në 50 mijë lekë nga 1 janari 2026, me synim që të arrijë në 60 mijë lekë në vitin 2028;
• Indeksimit të pagave në administratën publike me 2.5% nga fillimi i vitit;
• Financimit të politikave sociale, me një fokus të posaçëm në barazinë gjinore dhe mbrojtjen sociale, ku rreth 9.5% e shpenzimeve buxhetore i dedikohen programeve me bazë gjinore në 85 programe të ndryshme publike.
Investimet publike dhe zhvillimi ekonomik
Për vitin 2026, qeveria planifikon të ruajë një nivel të lartë investimesh publike, që do të arrijnë mesatarisht 6.5% të PBB-së gjatë periudhës 2026–2028. Projektet prioritare janë të lidhura me Planin e Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës rrugore e energjetike, digjitalizimin e administratës publike, si dhe investime në arsim, bujqësi, transport dhe turizëm.
Sipas Ministrisë, investimet strategjike do të orientohen drejt rritjes së konkurrueshmërisë ekonomike, përmirësimit të infrastrukturës dhe përshpejtimit të konvergjencës me standardet europiane.
Treguesit makroekonomikë
Rritja ekonomike për periudhën 2026–2028 parashikohet të jetë mesatarisht 4% në vit, ndërsa inflacioni pritet të stabilizohet rreth 3%, në përputhje me objektivat e Bankës së Shqipërisë. Tregu i punës do të vijojë trendin pozitiv me ulje të papunësisë në 8.5% deri në fund të vitit 2026.
Borxhi publik pritet të ulet në mënyrë të qëndrueshme nga 54.1% e PBB-së në 2025 në 53.6% në 2026 dhe në 51% në vitin 2028, duke garantuar hapësirë fiskale për financimin e reformave strukturore.
Fokusi te bashkitë dhe financat vendore
Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2026 janë planifikuar në 97.7 miliardë lekë, me rritje 9% nga viti 2025. Transferta e pakushtëzuar për bashkitë do të jetë 1.6 miliardë lekë më e lartë, duke e çuar peshën e financave vendore në 3.52% të PBB-së, kundrejt 3.4% që ishte një vit më parë.
Një buxhet për zhvillim dhe stabilitet
Në tërësi, buxheti i vitit 2026 shihet si një buxhet zhvillimi, që ruan ekuilibrat makroekonomikë dhe orienton burimet drejt politikave sociale, rritjes së pagave e pensioneve, si dhe projekteve të mëdha të infrastrukturës kombëtare.
Me konsolidim të borxhit publik, deficiti të kontrolluar dhe politika të qëndrueshme fiskale, qeveria synon të krijojë një bazë të fortë për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe përmbushjen e objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
