Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektrezolutën për veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë për vitin 2023.
Kuvendi i kërkoi Bankës së Shqipërisë që gjatë këtij viti të angazhohet në drejtim të monitorimit në vazhdimësi të të gjitha zhvillimeve të brendshme dhe të jashtme të ekonomisë dhe të kujdeset të formulojë një politikë monetare, e cila të mundësojë kthimin e inflacionit në objektiv, me sa më pak kosto mbi rritjen afatgjatë të ekonomisë.
Kuvendi, po ashtu i kërkon BSH-së që të analizojë me prioritet zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, si dhe të monitorojë me kujdes ekspozimin e sektorit bankar ndaj këtij tregu, duke përmirësuar kuadrin e monitorimit dhe adresimit të rreziqeve në këtë drejtim.
“Kuvendi i lë detyrë zhvillimin e instrumenteve të nevojshëm për të adresuar çdo kontingjencë të mundshme, të standardizojë dhe përmirësojë sipas praktikave më të mira europiane procesin e administrimit të kredive me probleme, i cili siç theksohet edhe nga institucionet ndërkombëtare, është ekspozuar ndaj zhvillimeve të pafavorshme ekonomike ndërkombëtare”, bëri të ditur kreu i komisionit, Eduard Shalsi.
Po ashtu, Kuvendi i kërkoi analizën e implikimeve të inovacionit të tregjeve dhe produkteve financiare, si dhe monitorimin e rreziqeve klimatike në mjedisin ekonomik dhe financiar.
Nga ana tjetër, Kuvendi i kërkoi Bankës të përmirësojë proceset e zbatimit të politikës makroprudenciale, me fokus shtimin e instrumenteve që synojnë rreziqet sistemike strukturore dhe plotësimin e kuadrit rregullator mbi kërkesat që duhet të plotësojë sistemi bankar për sigurimin e një mbrojtjeje të përshtatshme kibernetike.
Shalsi vlerësoi punën e Bankës së Shqipërisë për sigurimin e funksionimit maksimal të sistemit të pagesave, duke kryer vlerësimin e dy sistemeve që operon Banka, AIPS AECH, sipas parimeve mbikëqyrëse të BQE dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre, përmes fillimit të funksionimit të sistemit AIPS Euro, i cili siguron kryerjen e pagesave ndërkombëtare në euro brenda vendit për klientët e bankave, duke shmangur në këtë mënyrë bankat korrespondente.
Ai theksoi se, ka rritje të përdorimit të instrumenteve elektronik të pagesave nxitur nga masat e BSH-së dhe politikat e bankave për promovimin e tyre, ku rezulton një rritje e vazhdueshme e pagesave me karta, me pagesa elektronike dhe pagesa me home-banking.
“Numri i pagesave për vitin 2022 u rrit me 18.1 %, duke kapur nivelin prej rreth 33.7 milionë pagesash, ndërsa vlera totale e pagesave rezultoi 5.767 miliardë lekë, me një rritje prej 9 %, nga një vit më parë“, tha Shalsi.
Sipas tij, rritje ka pasur edhe për sa i përket numrit të institucioneve të parasë elektronike, kur për vitin 2022 kanë operuar 9 institucione të tilla, nga 7 që ishin në vitin 2021, të cilat kanë kryer një volum prej 10.2 milionë pagesash me vlerë 45.4 miliardë lekësh”, u shpreh Shalsi.
