Çmimi i karikimit të makinave elektrike nuk do të ndryshojë as pas kërkesës së palëve të interesuara, kjo pasi vendimi i refuzimit të Entit Rregullator i Energjisë (ERE) ka hyrë në fuqi dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.
Dy javë më herët, Enti Rregullator i Energjisë (ERE), me vendimin nr. 255, datë 15.10.2025, miratoi çmimin prej 22 lekë/kWh (nga 14 lekë/kWh që ishte më pare) për karikimin e makinave elektrike në stacionet me fuqi të instaluar mbi 11 kW, duke aplikuar edhe një çmim 15% më të lartë gjatë orëve të pikut. Ky vendim hyn në fuqi më 1 nëntor 2025, ndërsa për përdoruesit me fuqi deri në 11 kW do të vijojnë çmimet ekzistuese të shërbimit universal.
Vendimmarrja për rritjen e çmimit u justifikua nga ERE me nevojën për të kategorizuar një grup të ri konsumatorësh dhe për të ruajtur stabilitetin teknik dhe financiar të sistemit elektroenergjetik, duke mbuluar kostot e disbalancave që shkaktohen nga përdorimi i stacioneve të karikimit me fuqi të lartë.
Pas këtij vendimi, më 23 tetor 2025, Shoqata “Taksitë e Klasit të Parë” dhe “Sindikata Shqiptare e Taksive” i janë drejtuar ERE-s dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me kërkesa për pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tarifës deri në zhvillimin e një dëgjimi publik; rishikimin e çmimit, me vendosjen e një tarife preferenciale për taksitë elektrike si sektor me ndikim social e mjedisor; si dhe krijimin e një mekanizmi subvencioni ose lehtësie fiskale, për të shmangur kthimin e investimeve ekologjike në barrë ekonomike për shoferët.
ERE refuzoi kërkesën për pezullim, duke u mbështetur në nenin 133, pika 3, germa “c” dhe nenin 180 të Kodit të Procedurave Administrative, sipas të cilave pezullimi nuk lejohet kur zbatimi i aktit është në interes publik dhe kur nuk provohet rreziku i një dëmi të rëndë e të pazëvendësueshëm për subjektet.
Institucioni theksoi se vendimi synon garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe interesit publik, ndërsa përdoruesit ruajnë të drejtën të zgjedhin furnizimin me fuqi nën 11 kW me çmimet aktuale (8.5 lekë/kWh ose 9.5 lekë/kWh për konsumatorët familjarë dhe 14 lekë/kWh për jo-familjarët).
Në përfundim, ERE vlerësoi se kërkesa për pezullim nuk ishte e bazuar në prova ligjore, ndërsa zbatimi i vendimit nr. 255/2025 është i nevojshëm për të mbrojtur stabilitetin financiar dhe sigurinë e furnizimit të sistemit energjetik.
Në lidhje me kërkesën për krijimin e një mekanizmi subvencioni ose lehtësish fiskale për taksitë elektrike, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vlerësoi se kjo nuk bën pjesë në kompetencat e tij ligjore. Sipas nenit 19, germa “ë” të ligjit nr. 43/2015, ERE ka detyrimin të shmangë ndërsubvencionimin mes kategorive të konsumatorëve, duke garantuar që çmimet dhe tarifat të pasqyrojnë koston reale që secila kategori i shkakton sistemit elektroenergjetik.
Prandaj, çështjet që lidhen me subvencione apo politika fiskale nuk mund të trajtohen nga Bordi i ERE-së, por i janë adresuar institucioneve përkatëse për shqyrtim në përputhje me kompetencat e tyre. Për këto arsye, ERE vendosi të refuzojë kërkesat e Shoqatës “Taksitë e Klasit të Parë”, sujektet e të cilave do të paguajnë tashmë tarifat e rritura të karikimit nga 1 nëntor 2025. /ekofin.al
