Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për pajisjet mjekësore”.
Projekligji me shtesat dhe ndryshimet synon të garantojë sigurinë dhe shëndetin e pacientëve, përdoruesve dhe palëve të treta, duke ruajtur njëkohësisht efektshmërinë e pajisjeve mjekësore sipas standardeve të prodhuesit.
Zbatimi i ligjit përfshin pajisjet mjekësore dhe aksesorët e tyre; përdoruesit profesionistë; pajisjet mjekësore të implantueshme aktive; personat fizikë dhe juridikë që ushtrojnë veprimtari në këtë fushë.
Ligji nuk zbatohet për pajisjet e diagnostikimit in vitro, barnat, produktet e gjakut, plazmës ose qelizave njerëzore; produktet kozmetike; produktet ushqimore etj.
Pacientët do të kenë informacion të plotë për implantet që u nënshtrohen
Kartela e implantit dhe informacioni që u jepet pacientit me një pajisje të implantuar është një nga shtesat kryesore të ligjit.
Ky nen përcakton se prodhuesi i pajisjeve të implantueshme duhet të sigurojë, bashkë me pajisjen, informacion të plotë identifikues dhe përdorues, që përfshin: emrin, modelin, numrin serial, numrin e lotit dhe UDI-në e pajisjes; emrin, adresën dhe faqen e internetit të prodhuesit; çdo paralajmërim ose masë paraprake që lidhet me ndikime të jashtme, ekzaminime mjekësore apo kushte mjedisore; të dhëna mbi jetëgjatësinë e pritshme të pajisjes dhe ndjekjen e nevojshme; çdo informacion tjetër për përdorim të sigurt nga pacienti.
Informacioni duhet të jetë i përkthyer në gjuhën shqipe, i kuptueshëm për persona joprofesionistë, dhe i aksesueshëm në mënyrë të shpejtë; i përditësuar periodikisht, me versionet e reja të publikuara në faqen zyrtare të prodhuesit.
Institucionet shëndetësore që kryejnë implantin kanë detyrimin të dërgojnë elektronikisht tek autoriteti kompetent të gjitha të dhënat përkatëse dhe të pajisin pacientin me kartën e implantit, që përmban identitetin e tij dhe të pajisjes.
Nga këto detyrime përjashtohen implantet e zakonshme si: suturat, kapëset, mbushjet dhe mbajtëset dentare, kurorat, vidat, pllakat, telat, kunjat dhe lidhëset. Megjithatë, ministri ka të drejtë të ndryshojë me urdhër këtë listë përjashtimesh.
Pretendimet dhe krijimi i përshtypjes së rreme për pajisjet
Ligji ndalon çdo formë etiketimi, udhëzimi, reklamimi ose prezantimi publik të pajisjeve mjekësore që mund të mashtrojë përdoruesin apo pacientin lidhur me qëllimin, sigurinë apo performancën e tyre.
Konkretisht, ndalohet përshkrimi i funksioneve ose vetive që pajisja nuk i zotëron; krijimi i përshtypjes së rreme për aftësinë e saj në trajtim ose diagnozë; mosinformimi për rreziqe të mundshme që lidhen me përdorimin e pajisjes sipas destinacionit të saj; sugjerimi i përdorimeve të tjera përtej atyre të deklaruara dhe të vlerësuara në procesin e konformitetit.
Qëllimi është të sigurohet transparencë dhe mbrojtje e pacientit, duke shmangur çdo formë keqinformimi apo reklamimi mashtrues për pajisjet mjekësore.
Forcohen kontrollet dhe masat administrative
Ligji parashikon gjithashtu kundërvajtjet administrative. Më konkretisht, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen nga inspektorët e pajisjeve mjekësore të strukturës përgjegjëse për inspektimin në shëndetësi, si më poshtë:
Shkelja e nenit 5, të këtij ligji, për mosplotësim të kërkesave për vendosjen në treg dhe vënien në shërbim të pajisjeve mjekësore dënohet me gjobë në masën 300 mijë lekë.
Shkelja e nenit 7 vënien në dispozicion, vënien në shërbim dhe publicitetin e pajisjeve, ndalohet përdorimi i tekstit, emrave, markave tregtare, figurave dhe shenjave figurative ose të tjera, që mund të mashtrojnë përdoruesin ose pacientin në lidhje me qëllimin e synuar të pajisjes, dënohet me gjobë 500 mijë lekë.
Shkelja e nenit 10 prodhimi i pajisjeve mjekësore pa plotësuar kërkesat e këtij neni, dënohet me gjobë 1 milion lekë.
Shkelja e nenit 12, kryerja e importit të pajisjeve mjekësore nga importues jo të licensuar ose nga importues që shkelin detyrimet e këtij neni, dënohet me gjobë në masën 200 mijë lekë.
Mosrespektimi i kërkesave të nenit 14 lidhur me personin përgjegjës dënohet me gjobë deri 100 mijë lekë.
Mosrespektimi i kërkesave të nenit 16 lidhur me kartelën e implantit dënohet me gjobë 50 mijë lekë.
Konstatimi i mungesës së markimit CE në pajisjen mjekësore të vendosur në treg në RSH sipas përcaktimeve të neneve 17 dhe 18 dënohet me gjobë 500 mijë lekë.
Moslejimi i inspektorëve të pajisjeve mjekësore për të kryer inspektimin në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij dënohet me gjobë 100 mijë lekë.
Në rast të përsëritjes së shkeljes më shumë se një herë brenda dy viteve, ministri përgjegjës për shëndetësinë, me propozimin e strukturës përgjegjëse për inspektimin në shëndetësi, revokon licencën/at, sipas parashikimeve të këtij ligji. /ekofin.al
