Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat (2024) mbi varfërinë subjektive në Evropë, Shqipëria renditet ndër vendet me perceptimin më të lartë të varfërisë, si në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian, ashtu edhe me vendet e tjera të Ballkanit.
Të dhënat tregojnë qartë se faktorët gjinorë dhe niveli arsimor kanë ndikim të fortë në mënyrën se si qytetarët e perceptojnë mirëqenien e tyre ekonomike.
Shqipëria, më shumë se gjysma e popullsisë ndihen subjektivisht të varfër
Në Shqipëri, rreth 55% e popullsisë e konsideron veten subjektivisht të varfër, një nivel dukshëm më i lartë se mesatarja e BE-së (rreth 20%). Gratë raportojnë një ndjenjë më të fortë të pasigurisë ekonomike krahasuar me burrat, çka tregon për dallime të theksuara gjinore në përvojën e përditshme të mirëqenies financiare.
Ky tregues e vendos Shqipërinë në vendin e dytë në Ballkan, menjëherë pas Greqisë, e cila kryeson me mbi 68% të popullsisë që ndihen subjektivisht të varfër.
Arsimi, faktor vendimtar në perceptimin e varfërisë
Të dhënat mbi varfërinë subjektive sipas nivelit arsimor tregon se në Shqipëri diferencat janë të mëdha. Mbi 70% e personave me arsim të ulët ndihen subjektivisht të varfër, ndërsa personat me arsim të mesëm përbëjnë rreth 55–60%.
Në të kundërt, personat me arsim të lartë përbëjnë rreth 35–40%, shumë më lart se mesatarja evropiane (10–12%).
Kjo tregon se edhe arsimimi i lartë, ndonëse redukton ndjesinë e pasigurisë ekonomike, nuk e eliminon atë në një kontekst si Shqipëria, ku të ardhurat reale dhe mundësitë në tregun e punës mbeten të kufizuara.
Në rajon, perceptimi i varfërisë subjektive mbetet përgjithësisht i lartë, por me dallime të dukshme midis vendeve.
Në rajon, Greqia shfaq nivelin më të lartë të perceptimit të varfërisë në të gjithë Ballkanin dhe ndër më të lartët në Europë: rreth 75% e popullsisë ndihen subjektivisht të varfër, ndërsa për personat me arsim të ulët kjo shifër ngjitet mbi 80%. Mali i Zi ndjek me rreth 52%, Maqedonia e Veriut me 48%, Serbia me 37%, Bosnja dhe Hercegovina me 33%, dhe Bullgaria me vetëm 30%, ndonëse edhe këto vlera mbeten dukshëm mbi mesataren e BE-së.
Në krahasim me këto vende, Shqipëria pozicionohet në mesin e sipërm të rajonit: më e mirë se Greqia, por më keq se vendet fqinje veriore. Në të gjitha rastet, ndjesia e varfërisë bie dukshëm me rritjen e nivelit arsimor, por në Shqipëri ky efekt zbutës i arsimit është më i kufizuar sesa në vendet e tjera të Ballkanit, gjë që tregon për ndikim më të gjerë të faktorëve ekonomikë, informalitetit dhe çmimeve të jetesës mbi mirëqenien subjektive. /ekofin.al

