Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ka marrë zyrtarisht detyrën. Pas betimit para anëtarëve të këshillit bashkiak, Beci u shpreh se tashmë është koha për të nisur një ndryshim të madh për Shkodrën.
“Kam kënaqësinë dhe privilegjin e madh të jem zgjedhur nga ju dhe njerëzit që ju përfaqësoni në këtë sallë si qytetar i parë i Shkodrës. Por, më besoni, që do të doja që në këto vite pune me ju të meritoja titullin punëtori dhe shërbëtori i parë i Shkodrës. Rruga që do të bëjmë bashkë pa diskutim ka vështirësi, por tani është koha për t’u përqendruar tek puna, është koha për të nisur një ndryshim të madh, jo thjesht që Shkodra të kapë ritmin dhe kohën e humbur, por që t’i paraprijmë së ardhmes”
Sipas Becit fokusi do të jetë përmirsimi i cilësisë së jetës së çdo qytetari shkodran.
“Duhet të punojmë për fëmijët e së nesërmes, për Shkodrën që tejkalon veten dhe u pararend zhvillimeve dhe sfidave. Vullneti ynë, bashkëpunimi me njëri-tjetrin, bashkëpunimi me qeverinë dhe donatorët, e veçanërisht besimi që na kanë dhënë qytetarët janë një garanci e fortë për suksesin tonë”.
Duke iu drejtuar këshilltarëve të këshillit bashkiak, Beci u shpreh se, pavarësisht përkatësive politike, të zgjedhurve do t’u degjohet fjala dhe qytetarët do të trajtohet të gjithë njësoj. Beci vuri në dukje se, kjo është bashkia e shkodranëve dhe dera e saj do të jetë e hapur për këdo.
“Kjo bashki do të jetë bashkia ku ndahen punët dhe jo privilegjet. Ju, administrata e bashkisë dhe institucionet në varësi të saj, e sigurisht unë, prej sot jemi në shërbim të tyre, me dinjitet, me rregulla, me përkushtim. Ne që sot do ta nisim këtë ndryshim dhe nuk do të humbim asnjë çast. Për ne Shkodra është e para”.
Benet Beci arriti të fitojë besimin e qytetarëve shkodranë në zgjedhjet e 14 majit me një rezultat historik, duke lënë pas kandidatin të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia me rreth 10 mijë vota epërsi.
