Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, bankat raportuan një shtrëngim të standardeve të kreditimit për individët gjatë tremujorit të tretë të vitit, si për kreditë konsumatore ashtu edhe për ato të banesave.
Ky zhvillim lidhet kryesisht me rritjen e perceptimit të rrezikut nga ana e bankave, përfshirë aftësinë paguese të kredimarrësve, cilësinë e kolateralit dhe pritshmëritë për tregun e pasurive të paluajtshme. Njëkohësisht, bankat kanë shfaqur një tolerancë më të ulët ndaj rrezikut dhe janë përballur me kosto më të larta të fondeve dhe kufizime të likuiditetit në bilancet e tyre.
Një tjetër faktor që ka ndikuar është paketa e re e kufizimeve të vendosura nga Banka e Shqipërisë në korrik 2025, që përcakton kufij mbi raportin e kredisë ndaj vlerës së disbursuar (LTV) dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave (DSTI) për kreditë e reja të banesave.
Kushtet dhe termat u ashpërsuan
Kushtet dhe termat e përgjithshëm të kreditimit për individët u shtrënguan si në aspektin e çmimeve, ashtu edhe të elementeve joçmimore. Bankat aplikuan marzhe më të larta interesi si për klientët me rrezik më të lartë, ashtu edhe për ata standardë. Në të njëjtën kohë, ato rritën kërkesat për kolateral, reduktuan madhësinë e kredive dhe vendosën më shumë kufizime kontraktuale, veçanërisht për kreditë e banesave.
Megjithatë, konkurrenca e lartë në sistemin bankar është vlerësuar si faktor që ndihmon në ruajtjen e kushteve relativisht të favorshme për kredimarrësit.
Më pak kredi të miratuara
Shkalla e miratimit të kredive për individët ka rënë në mënyrë të ndjeshme, duke reflektuar një rritje të refuzimeve për shkak të të ardhurave të ulëta, pasigurisë në punësim dhe mungesës së kolateralit. Në anën tjetër, historiku pozitiv i marrëdhënieve me bankën dhe statusi i mirë i kredive ekzistuese kanë ndikuar në uljen e refuzimeve për disa kategori klientësh.
Kërkesa për kredi në rënie
Edhe kërkesa e individëve për kredi ka shënuar rënie gjatë tremujorit të tretë, si në kreditë për banesa, ashtu edhe në ato konsumatore. Sipas bankave, kjo rënie lidhet me nevojat më të ulëta për financim, zhvillimet e tregut të pasurive të paluajtshme, përdorimin e burimeve alternative të financimit, si dhe efektin e kufizimeve të reja rregullatore që hynë në fuqi në korrik 2025. Për tremujorin e fundit të vitit, bankat presin që kërkesa për kredi banesash të vijojë të ulet, ndërsa kërkesa për kredi konsumatore të shfaqë një rritje të lehtë. /ekofin.al
