Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se, qeveria nuk ka hartuar asnjë politikë për frenimin e emigracionit të të rinjve.
Gjatë diskutimit të ndryshimeve në ligjin “Për nxitjen e punësimit”, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Tabaku u shpreh se, sot pjesa më e madhe e të papunëve janë të gjithë të rinj.
“Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë që 17.000 persona që kanë hyrë në tregun e punës në tremujorin e fundit janë të moshës mbi 65 vjeç. Prandaj duhet të ngremë pikëpyetje mbi efektivitetin e këtyre skemave nga ana e ministrisë. A ka menduar Ministria diçka që lidhet me stimulimin e sektorëve që sot janë sektorë të kërkuar, p.sh. teknologjia e informacionit, mbështetja e bizneseve në këtë fushë, agroturizmi apo turizmi në përgjithësi, që mund të jenë sektorë që mund të ketë pak më shumë kërkesë se për të tjerët, përsa i përket skemave të garancisë i referohem këtu”, u shpreh ajo.
Sipas Tabakut, të rinjtë nuk shfaqin dëshirë për t’u punësuar në Shqipëri, por preferojnë të largohen.
“Kjo lidhet më situatën në përgjithësi, kështu që duhet ta shikojmë më gjerë sesa ndryshime të një ligji që ka ardhur pak vite më parë, është ndryshuar, po kërkoni të ndryshohet sërish sepse skema, fondi i garancisë nuk po funksionon. Nëse është e nevojshme ndryshimi për të përfituar nga fondet e IPA III për Ballkanin Perëndimor për punësimin e miratojmë që të gjithë bashkë, por unë besoj që duhet të kuptoni që këtu ka nevojë për një strategji punësimi inovatore, sepse këta të rinj që 1 në 3 është pa punë dhe pa shkollë, 1 në 3 largohet nga Shqipëria duhet të jenë një kambanë alarmi për qeverinë”, shtoi ajo.
Tabaku ngriti shqetësimin e mungesës së strategjive konkrete të punësimit të të rinjve për zonat me numrin më të lartë të emigrimit.
“Ka një problem që duhet parë ndryshe. Çfarë po bëni për punësimin e të rinjve që janë nga zonat që kanë një masë të lartë largimi? I referohem qarkut të Dibrës dhe të Kukësit, ku atje norma është më e lartë, 1 në 5 dhe 70% nga 40% e qytetarëve që donin të largoheshin nga Kukësi ishin të rinj. Çfarëdo skeme që të bëni me 4.000 veta të punësuar në vit, nuk i jep zgjidhje problemeve të punësimit, ka lidhje me tregun, me konkurrencën, ka lidhje me meritokracinë në sektorin publik dhe privat, pra ka diçka që nuk funksionon”, tha ajo.
