Raporti i fundit i OECD-së mbi arsimin dhe përdorimin e teknologjisë vëren se mësuesit shqiptarë po tregojnë një prirje të fortë për të përfshirë inteligjencën artificiale (AI) në procesin mësimor, por përdorimi i mësimit online dhe infrastrukturës digjitale mbetet ende i kufizuar.
Përdorimi i mësimit online pas pandemisë
Pas periudhës së pandemisë COVID-19, shumica e sistemeve arsimore në botë eksperimentuan me formatet hibride dhe online të mësimdhënies. Në Shqipëri, megjithatë, vetëm 10% e mësuesve raportojnë se në shkollat e tyre është zhvilluar të paktën një orë mësimi online ose hibride gjatë muajit të fundit, një shifër ndjeshëm më e ulët se mesatarja e OECD-së prej 16%.
Përdorimi i inteligjencës artificiale (AI)
Në kontrast me këtë, përdorimi i inteligjencës artificiale nga mësuesit shqiptarë është dukshëm më i përhapur. Sipas raportit, 52% e mësuesve në Shqipëri e kanë përdorur AI-në në punën e tyre, një nivel më i lartë se mesatarja 36% në vendet e OECD-së.
Mësuesit e përdorin AI-në më së shumti për qëllime praktike dhe pedagogjike, si ndihmë në ushtrime praktike për aftësi reale (88%); gjenerim planesh mësimore ose aktivitetesh me (82%), mësim dhe përmbledhje temash (81%).
Këto të dhëna tregojnë se mësuesit shqiptarë e shohin AI-në si një mjet mbështetës për përgatitjen e orëve mësimore dhe për lehtësimin e të nxënit, duke e përdorur atë si partner teknologjik në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.
Përdorimi më i kufizuar i AI-së në fusha të ndjeshme
Megjithatë, në disa fusha më të ndjeshme të procesit arsimor, përdorimi i AI-së mbetet më i ulët.
Vetëm 64% e mësuesve e përdorin atë për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta, ndwrkohw 62% për gjenerimin e teksteve të komunikimit me prindërit apo komente për nxënësit, si dhe 42% për vlerësimin dhe vendosjen e notave ndaj punëve të nxënësve.
Këto përqindje tregojnë se mësuesit janë ende të kujdesshëm në përdorimin e AI-së në proceset që lidhen me vlerësimin formal apo komunikimin institucional, ndoshta për shkak të mungesës së udhëzimeve të qarta, standardeve etike ose besueshmërisë së teknologjisë në këto funksione.
Arsyet e mospërdorimit të AI-së
Ndër mësuesit që nuk e kanë përdorur AI-në gjatë 12 muajve të fundit, pengesat kryesore janë dy: 52% deklarojnë se nuk kanë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të përdorur AI në mësimdhënie, krahasuar me 75% mesatarja e OECD-së; 69% raportojnë mungesë infrastrukture në shkolla, një përqindje shumë më e lartë se mesatarja 37% e vendeve të OECD-së. Këto gjetje sugjerojnë se sfidat teknike dhe infrastrukturore mbeten pengesa kryesore për përhapjen më të gjerë të përdorimit të AI-së në shkollat shqiptare.
Një potencial i madh për transformim digjital
Përkundër këtyre kufizimeve, raporti i OECD-së vlerëson se prania e lartë e mësuesve që tashmë përdorin AI-në tregon për një bazë të fortë për transformimin digjital të arsimit në Shqipëri. Nëse investimet në infrastrukturë dhe trajnime digjitale do të thellohen, Shqipëria ka potencial të bëhet një nga vendet më përparimtare në rajon për përdorimin pedagogjik të inteligjencës artificiale, duke krijuar klasa më interaktive, mësim më të personalizuar dhe përgatitje më të mirë për epokën digjitale./ekofin.al
