Qeveria ka miratuar një sërë ndryshimesh që forcojnë dhe zgjerojnë kompetencat e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (DSHQ), duke e kthyer atë në një strukturë qendrore të integruar për logjistikën shtetërore, menaxhimin e pronave publike dhe shërbimet ndaj trupit diplomatik.
Me dy vendime të Këshillit të Ministrave, DSHQ-ja jo vetëm që do të marrë përsipër funksionet e Drejtorisë së Shërbimit të Trupit Diplomatik, por gjithashtu do të shërbejë si organ qendror blerës për biletat ajrore dhe akomodimin jashtë vendit për institucionet kryesore qeveritare, përfshirë Kryeministrinë, duke zbatuar rregulla të reja të konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave.
Biletat dhe udhëtimet zyrtare, që nga 2026 nën menaxhimin e DSHQ-së
Vendimet e fundit të qeverisë i japin kompetenca Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare të ushtrojë funksionin e organit qendror blerës për biletat e transportit ajror dhe shërbimet e hotelerisë jashtë vendit, duke negociuar kontrata kuadër me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi.
Institucionet që përfitojnë nga këto shërbime, përfshirë Kryeministrinë, ministritë, si dhe nëse kërkojnë, Presidencën dhe Kuvendin do të dërgojnë kërkesat për udhëtime jo më vonë se 15 ditë para nisjes. Në raste emergjente, afati mund të shkurtohet deri në 5 ditë para udhëtimit.
Për çdo bashkëpunim, DSHQ-ja do të nënshkruajë aktmarrëveshje konfidencialiteti me institucionet kërkuese, për të garantuar ruajtjen e informacionit të ndjeshëm dhe mbrojtjen e të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës.
Ky funksion do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026, ndërsa deri në 10 dhjetor 2025, çdo institucion duhet të raportojë pranë DSHQ-së të gjitha nevojat për udhëtime dhe akomodime për vitin pasardhës.
DSHQ merr në varësi Drejtorinë e Trupit Diplomatik – hiqet nga Ministria e Jashtme
Qeveria gjithashtu ka vendosur një ndryshim institucional të rëndësishëm që Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik (DST) të kalojë nga varësia e Ministrisë së Punëve të Jashtme në varësinë e DSHQ-së. Kjo do të thotë se të gjitha funksionet operative, administrative dhe buxhetore të shërbimit diplomatik – përfshirë menaxhimin e rezidencave, logjistikës dhe marrëdhënieve protokollare do të administrohen nga DSHQ.
Ndryshimet e reja forcojnë më tej profilin teknik dhe administrativ të DSHQ-së. Ajo do të inventarizojë dhe regjistrojë të gjitha godinat qeveritare në një regjistër qendror;
Gjithashtu do të menaxhojë dhe mirëmbajë pronat e paluajtshme të Këshillit të Ministrave, duke përfshirë rikonstruksione, mobilime dhe sigurinë teknike; zbatojë standardet “green building” për efikasitet energjetik në ndërtesat shtetërore.
DSHQ do të krijojë një fond kombëtar të mobiljeve dhe objekteve dekorative me vlerë historike e artistike, si dhe do të zhvillojë ankande publike për shitje apo blerje objektesh dekorative me rëndësi kulturore./ekofin.al
