Administrata Tatimore ka penalizuar një subjekt në zonën e Divjakës, pas një inspektimi të Task Forcës së Terrenit që konfirmoi shkelje të rënda të ligjit tatimor.
Subjekti u evidentua me risk nga Drejtoria e Menaxhimit të Riskut, duke u fokusuar në mospërputhjen e deklarimeve të tij tatimore.
Në kuadër të kontrollit për një treg rregullt, të formalizuar dhe të barabartë, përmes analizës së riskut, u evidentua 260 mijë euro të ardhura të fshehura për 2 muaj dhe një sërë shkeljesh tatimore, si mall pa faturë, moslëshim autofature, moslëshimi i faturës për klientët dhe punonjës të padeklaruar.
Gjatë inspektimit subjektit iu sekuetrua edhe pajisja kompjtuerike nga e cila u evidentuan shkeljet e mësipërme.
Sipas Administratës Tatimore, këto veprime përbëjnë shkelje të drejtpërdrejta të ligjit dhe penalizimi i subjektit është pjesë e masave për të luftuar informalitetin.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj rasteve të kësaj natyre dhe se do të vijojnë ndërhyrjet e fokusuara për të goditur subjektet që operojnë jashtë kuadrit ligjor.
Tatimet ftojnë bizneset të respektojnë ligjin dhe të përmbushin detyrimet, për të shmangur masat që vijnë nga moszbatimi i tij.

