Shqipëria renditet ndër vendet me performancën më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor, sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Evropian, bankat qendrore dhe INSTAT. Parashikimi për vitin 2025 e vendos vendin në krye të rajonit për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, krahas Kosovës, ndërkohë që sfidat më të mëdha lidhen me nivelin e lartë të borxhit publik dhe raportin e kredive me probleme.
Në tremujorin e katërt të vitit 2024, PBB e Shqipërisë u rrit me 4.4%, duke vijuar me 3.4% në tremujorin e parë të vitit 2025. Parashikimi për vitin 2025 është 3.6%, një nivel që e rendit Shqipërinë ndër kryesueset e rajonit, së bashku me Kosovën (3.6%). Krahasuar me fqinjët, Bosnja parashikohet me 2.0%, Maqedonia e Veriut me 3.0%, Mali i Zi me 3.0%, dhe Serbia me 3.2%.
Ndërkohë, në tregun e punës, Shqipëria regjistroi një normë papunësie prej 9.6% në T4’24 dhe 9.5% në T1’25. Kjo shifër është më e ulët se Bosnja (13.4%), Mali i Zi (11.4%) dhe Maqedonia e Veriut (11.0%), por mbetet më e lartë se Serbia (9.2%) dhe Kosova (10.9%).
Një nga pikat më të dobëta për Shqipërinë mbetet borxhi publik, i cili shënoi 54.8% të PBB-së në T4’24 dhe 54.2% në T1’25. Kjo e vendos vendin mes më të ekspozuarve financiarisht në rajon, krahas Malit të Zi (56.9%), ndërsa të tjerët regjistrojnë nivele dukshëm më të ulëta: Bosnja (27.2%), Maqedonia e Veriut (50.1%), Kosova (15.3%) dhe Serbia (44.3%).
Sektori financiar shënon ritme pozitive, me rritjen e kredisë në Shqipëri që pritet të arrijë 12.9% në T2’25, pas 14.2% në T1’25. Ky është një nivel më i lartë se Bosnja (10.2%) dhe Serbia (11.2%), por më i ulët se Mali i Zi (17.2%) dhe Kosova (20.9%).
Shqipëria përballet me një sfidë të dukshme në cilësinë e kredisë, pasi raporti i kredive me probleme mbetet më i larti në rajon, me 4.0% në T1’25 dhe 4.1% në T2’25. Në krahasim, Bosnja dhe Mali i Zi regjistrojnë 3.0%, Kosova 2.0%, dhe Serbia vetëm 2.3%./ekofin.al

