Vlerësimi i Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) për Shqipërinë nxjerr në pah kushtet sfiduese socio-ekonomike dhe mbështetjen e brishtë për qëndrueshmëri, si edhe diferencat mes zonave urbane dhe atyre rurale.
Edhe pse vendi ka bërë përparime të dukshme në lidhje me energjinë e gjelbër, zhvillimi ekonomik mbetet një prej sfidave që pas tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë COVID-19, të cilat ndërprenë turizmin dhe rënduan buxhetet publike.
Mbështetja publike për politikat e gjelbra mbetet e pabarabartë, veçanërisht në zonat rurale. Koeficienti i Ginit u përmirësua nga 36.8 (2017) në 33 (2021) dhe varfëria energjetike është në rënie, por ende shumë më e lartë se mesatarja e BE-së, thuhet në vlerësim.
Skemat sociale adresojnë kostot në rritje të energjisë elektrike përmes përfitimeve në të holla, megjithatë vetëm 80.2% e individëve të kualifikuar i përfituan ato në vitin 2021. Ndërkohë, Strategjia e mbrojtjes sociale 2024–2030 synon të luftojë varfërinë dhe varfërinë energjetike duke konsoliduar skemat financiare dhe duke promovuar energjinë e rinovueshme, veçanërisht përdorimin e paneleve diellore në zonat rurale, thekson EEA.
Politikat ekonomike tregojnë përparim, por investimet e gjelbra mbeten të kufizuara
Agjencia vëren se Shqipëria ka bërë përparim në përafrimin e politikave ekonomike me standardet e BE-së, veçanërisht në inovacionin mjedisor. Aktiviteti inovativ ndër kompanitë me 10 ose më shumë punonjës u rrit nga 36.6% (2018–2020) në 42.9% (2020–2022). Të ardhurat nga taksat mjedisore janë rritur në total, por kanë rënë si përqindje e të ardhurave totale që nga viti 2014, duke nxjerrë në pah nevojën për stimuj të synuar për rritjen e gjelbër.
Investimet në energji të rinovueshme janë të pamjaftueshme. Përmbushja e objektivave të BE-së kërkon projekte të reja hidro, diellore, biomase dhe ere, duke përfshirë skema të propozuara si marrëveshje për blerjen e energjisë dhe kushte të favorshme kredie (p.sh. maturime 7–10 vjet, periudha faljeje 2 vjet). Ndërkohë që vlera e shtuar bruto e mallrave dhe shërbimeve ra nga 6.0% (2021) në 4.4% (2022), kontributi i furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbetjeve u rrit lehtë.
Përfshirja e komunitetit të biznesit në tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë
Sa i përket nivelit të përfshirjes së komunitetit të biznesit në Shqipëri, për EEA ai është i pabarabartë. Kompanitë e mëdha po marrin iniciativa inovatore, ndërsa ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (që përbëjnë 82.1% të punësimit) përballen me kufizime burimore. Sektori i ndërtimit dhe ai i prodhimit po përmirësojnë efiçiencën materiale, e reflektuar në produktivitet më të mirë të materialeve dhe konsum më të ulët material për frymë. Vetëm 4.3% e ndërmarrjeve inovative morën mbështetje financiare publike, duke nënvizuar nevojën për zgjerimin e lehtësive fiskale dhe partneriteteve biznes–kërkim. Rritja e shpenzimeve publike për arsimin e lartë mbështet inovacionin, por kërkon përafrim të mëtejshëm me objektivat e gjelbra, thuhet në vlerësim.
Ndarja urban–rural rrezikon një tranzicion të pabarabartë
Agjencia gjithashtu konstaton se Shqipëria përballet me sfida për të siguruar që tranzicioni i gjelbër t’i sjellë përfitime gjithë popullsisë. Varfëria energjetike është e përhapur, veçanërisht në zonat rurale, ku grupet vulnerabël preken në mënyrë disproporcionale nga kostot e tranzicionit. Ndërsa përfitimet në të holla dhe subvencionet për efiçiencën energjetike po zbatohen, plani kombëtar i energjisë dhe klimës (NECP) nxjerr në pah mungesën e politikave të dedikuara për varfërinë energjetike. Zgjerimi i masave gjithëpërfshirëse do të jetë thelbësor për një tranzicion të drejtë dhe të qëndrueshëm, përfundon vlerësimi. /ekofin.al
