Ministri i Drejtësisë dhe Ministri i Financave, me Udhëzimin e Përbashkët nr. 4, datë 15.7.2025, i cili hyri në fuqi më 30 shtator me botimin në Fletore Zyrtare, kanë përcaktuar nivelin minimal dhe maksimal të tarifës së suksesit që paguhet për veprimet përmbarimore. Tarifa caktohet përmes një marrëveshjeje mes kreditorit dhe përmbaruesit shtetëror dhe varion sipas vlerës së detyrimit: deri në 500 mijë lekë: nga 1% deri në 20% të shumës së vjelë ose titullit të ekzekutuar; mbi 500 mijë lekë deri në 90 milionë lekë nga 1% deri në 10%; mbi 90 milionë lekë: nga 1% deri në 5%, por jo më shumë se 10 milionë lekë.
Tarifa e suksesit paguhet gjithmonë nga kreditori, në përfundim të ekzekutimit ose të veprimeve të caktuara, sipas kushteve të përcaktuara në marrëveshje. Përveç detyrimeve monetare, kur bëhet fjalë për veprime përmbarimore mbi detyrime jomonetare, tarifa varion nga 1 mijë deri në 100 mijë lekë, në varësi të vendit, objektit dhe kohës së veprimeve. Një risi e rëndësishme është edhe mundësia për kombinimin e tarifave, por gjithmonë pa kaluar kufirin që do të aplikohej nëse do të përdorej secila metodë veçmas.
Gjithashtu përmes një udhëzimi të përbashkët të të dy ministrave është përcaktuar edhe ndarja e të ardhurave që arkëtojnë Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit dhe zyrat përmbarimore vendore nga masa e tarifës fikse të veprimit përmbarimor dhe vlera e tarifës së suksesit për veprimet përmbarimore të ofruara nga shërbimi përmbarimor gjyqësor shtetëror., kriteret dhe procedurat e administrimit të tyre. Sipas këtij udhëzimi, të ardhurat e përfituara nga kryerja e veprimeve përmbarimore ndahen në dy pjesë: 10% i kalon Shërbimit Përmbarimor Shtetëror, ndërsa 90% shkon në buxhetin e shtetit.
Brenda pjesës që përfiton Shërbimi Përmbarimor, shpërndarja bëhet në mënyrë proporcionale: 60% për shpërblimin e punonjësve në nivel qëndror dhe vendor, 20% për investime, 20% për mallra dhe shërbime të tjera.
Gjithashtu, për shërbimet që përmbaruesit kryejnë si Agjentë Tatimorë, ata përfitojnë një komision të veçantë buxhetor, i cili llogaritet në përqindje mbi shumat e arkëtuara që transferohen në llogarinë e Drejtorisë Rajonale Tatimore. /ekofin.al
