Udhëzimi i përbashkët i datës 15 korrik 2025, të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Financave, i cili shfuqizon vendimin e vitit 2017, detajon tarifat e reja të përmbarimit gjyqësor shtetëror, me ndryshime të ndjeshme, ku në disa raste vihet re rritje të kufijve maksimalë, ka hyrë në fuqi me publikimin sot në Fletore Zyrtare.
Më konkretisht, tarifat e përmbarimit për vënien në ekzekutim të titujve që përmbajnë vlerë detyrimi nga 10, 000 – 500 mijë lekë, nuk mund të jenë më të larta nga 6 mijë deri në 30 mijë lekë, ndërkohë që udhëzimi i mëparshëm përcaktonte si tarifë 15 mijë lekë.
Për vlerat e detyrimit mbi 500 mijë lekë deri në 90 milionë lekë, përmbaruesit do të aplikojnë tarifë fikse në përqindje mbi vlerën e detyrimit që varion nga 5.5% në 1.65%, ndërkohë që më parë tarifa ishte nga 4.5% deri në 2.5 % në varësi të vlerave të detyrimit.
Ndërsa për vlerat mbi 90 milionë lekë, tarifa fikse është 1.1% ose e shprehur në shifra jo më pak se 1,485,000 lekë dhe maksimumi deri në 2,500,000 lekë, ndërkohë që në udhëzimin e shfuqizuar tarifa fikse ishte 2% dhe jo më shumë se 5 milionë lekë.
Tarifat fikse të shërbimit përmbarimor janë të përcaktuara sipas natyrës së titullit ekzekutiv dhe objektit të ekzekutimit. Kur kemi të bëjmë me detyrime jomonetare dhe të pavlerësueshme, tarifa varion në bazë të rastit: për reklamimin e sendeve të luajtshme apo të paluajtshme ajo përllogaritet në masën e një page bazë minimale, ndërsa për lirimin dhe vënien në posedim të një sendi të paluajtshëm, kur ky nuk ka vlerë të përcaktuar, tarifa arrin në dy paga minimale. Nëse sendi ka vlerë referuese sipas të dhënave të Kadastrës apo vlerësimit të një eksperti, atëherë tarifa llogaritet në përqindje sipas tabelës përkatëse.
Për vënien në posedim të një sendi të luajtshëm pa vlerë të përcaktuar, tarifa është një pagë bazë minimale, ndërsa kur ekziston vlerësim i qartë, ajo përllogaritet në përqindje. Raste të veçanta parashikojnë masa fikse: marrja e fëmijës dhe lejimi i së drejtës së vizitës kanë një tarifë prej 5,000 lekësh, ndërsa detyrimet ushqimore ekzekutohen pa tarifë.
Organizimi dhe shitja e sendeve në ankand ka një kosto prej një page bazë minimale, po ashtu edhe zbatimi i një vendimi gjyqësor me objekt të pavlerësueshëm.
Për vendimet gjyqësore mbi sigurimin e padisë, tarifa përcaktohet sipas vlerës së saj: kur padia ka vlerë deri në 500 mijë lekë, aplikohet ¼ e pagës bazë minimale nga 5 mijë lekë që ishte më parë; nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë tarifa është gjysma e pagës bazë, nga 7 mijë që ishte më parë; mbi këtë shumë, arrin një pagë të plotë minimale, ndërkohë që udhëzimi i mëparshëm kishte përcaktuar edhe 3 fasha vlerash: nga 2 milionë në 5 milionë tarifa ishte 15 mijë lekë, nga 5 milionë në 10 milionë tarifa ishte 20 mijë lekë, ndërsa mbi shumën 10 milionë lekë, tarifa ishte 25 mijë lekë.
Në rastet kur padia është jomonetare ose nuk ka vlerë të përcaktuar, tarifa fiksohet në ⅓ e pagës bazë minimale, nga 5 mijë lekë që ishte më parë.
Edhe gjobat penale, gjobat administrative dhe shpenzimet procedurale kanë rregullat e tyre: për vlera deri në 100 mijë lekë tarifa është 10%, ndërsa për shumën mbi këtë kufi, aplikohet 5% të cilat nuk kanë ndryshuar me udhëzimin e ri.
Ligji përcakton se tarifat parapaguhen nga kreditori në momentin e lidhjes së kontratës me subjektin përmbarues dhe në fund të ekzekutimit ngarkohen debitorit. Pagesa bëhet pas përfundimit tërësor të ekzekutimit ose në përpjesëtim me vlerën e detyrimit të shlyer. Megjithatë, është vendosur një kufi: tarifa fikse nuk mund të kalojë shumën prej 2,500,000 lekësh, pavarësisht rastit, ndërkohë udhëzimi i mëparshëm parashikonte se tarifa nuk mund të ishte më e madhe se 5 milionë lekë.
Për të gjitha këto tarifa zbatohet edhe vlera e TVSH-së dhe ato janë të detyrueshme për zbatim nga zyrat e përmbarimit gjyqësor shtetëror.
Përjashtohen nga parapagimi i tarifës fikse të shërbimit përmbarimor:
a) subjekte përfituese të ndihmës juridike të garantuar nga shteti sipas ligjit nr. 111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” ose që përjashtohen nga pagesa e një tarife shtetërore, për shkak të paaftësisë paguese;
b) subjekti që paraqet për ekzekutim një vendim gjyqësor, i cili ka vendosur mbi të drejtat civile në procesin penal;
c) pala kreditore që paraqet për ekzekutim një vendim përfundimtar të gjykatës administrative, që ka marrë formë të prerë ose vendim për sigurimin e padisë, sipas legjislacionit në fuqi për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative;
ç) organet e administratës shtetërore përjashtohen nga detyrimi për parapagimin e tarifave për vënien në ekzekutim të vendimeve për kundërvajtjet administrative. /ekofin.al


