Në muajin Gusht 2025 janë regjistruar gjithsej 159 aksidente rrugore, ku kanë qenë të përfshirë 229 persona të aksidentuar, përfshirë si të vrarë, ashtu edhe të plagosur.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë periudhës Janar–Gusht 2025, numri i aksidenteve rrugore ka shënuar një ulje prej 14,7 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shkaku kryesor i aksidenteve mbetet sjellja e drejtuesve të mjeteve, e cila përbën 91,2 % të rasteve. Më të përfshirët në aksidente janë drejtuesit e grupmoshës 45–59 vjeç, të cilët kanë shkaktuar 25,8 % të numrit të përgjithshëm të aksidenteve.
Nga ana tjetër, analizuar sipas ditëve të javës, numri më i lartë i aksidenteve në Gusht është regjistruar ditën e Hënë, me 18,2 % të totalit, ndërsa më i ulëti ditën e Martë, me vetëm 11,3 %.
Shpërndarja sipas orareve tregon se pjesa më e madhe e aksidenteve rrugore ka ndodhur në intervalin 19:00 – 24:00, ku janë shënuar 23,3 % e rasteve.
Ky bilanc nxjerr në pah se, pavarësisht uljes së përgjithshme të aksidenteve gjatë këtij viti, nevojitet një vëmendje e shtuar ndaj sjelljes së drejtuesve të mjeteve, sidomos në mbrëmje dhe në fillim të javës, kur rreziku për ngjarje rrugore rezulton më i lartë. /ekofin.al

