Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka vijuar prirjen pozitive edhe gjatë muajve janar – gusht të këtij viti, duke reflektuar rritje të qëndrueshme si në primet e shkruara, ashtu edhe në numrin e kontratave të lidhura.
Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto arritën në 17.9 miliardë lekë, me një rritje prej 9.53% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Paralelisht, numri i kontratave të sigurimit u rrit në 1.1 milionë, duke shënuar një zgjerim prej 6.12%.
Sigurimet Jo-Jetë dominojnë tregun
Struktura e tregut vijon të mbetet e përqendruar tek sigurimet Jo-Jetë, të cilat përfaqësojnë 91.6% të totalit të primeve. Sigurimet e Jetës zënë vetëm 8.4%, por me ritme rritjeje më të larta, ndërsa risigurimi ka një peshë të papërfillshme.
Në ndarjen sipas natyrës së kontratave, sigurimet e detyrueshme përbëjnë 61.8% të totalit, ndërsa sigurimet vullnetare 38.2%, duke reflektuar një treg të orientuar ende fort drejt mbrojtjes së detyruar ligjërisht.
Sigurimet e detyrueshme motorike, motori i tregut
Segmenti më dinamik i tregut vijon të mbetet sigurimi i detyrueshëm motorik, i cili për tetëmujorin arriti në 11.07 miliardë lekë, me një rritje të fortë prej 12.8% krahasuar me vitin e kaluar.
Brenda këtij portofoli, MTPL e brendshme shënoi rritje të primeve me 13.6% dhe të kontratave me 7%, Kartoni Jeshil pati rritje prej 12% në prime dhe 4.8% në kontrata, ndërsa Sigurimi Kufitar, në të kundërt, pësoi një tkurrje të lehtë, me -1.5% në prime dhe -1.9% në kontrata.
Dëmet e paguara në këtë kategori u rritën në 4.2 miliardë lekë, ose 2.6% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke treguar një aktivitet të lartë dëmshpërblimesh.
Sigurimet vullnetare: rritje më e ngadaltë, por e qëndrueshme
Primet e sigurimeve vullnetare arritën në 6.83 miliardë lekë, me një rritje prej 4.7%, ndërsa kontratat u shtuan me 7.4%.
Në portofolat kryesore të sigurimeve Jo-Jetë, Zjarri dhe Dëmtime të tjera në Pronë ruan peshën kryesore me gati 70% të të ardhurave të këtij segmenti, të ndjekur nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 21%.
Megjithatë, jo të gjitha produktet kanë performuar pozitivisht: sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës shënoi një ulje të primeve me -2.2%, pavarësisht rritjes së numrit të kontratave me mbi 9%. Në të njëjtën kohë, sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit u tkurrën lehtë me -0.5%.
Sigurimet e Jetës, segmenti me rritjen më të shpejtë
Edhe pse zënë një peshë më të vogël në strukturën e tregut, sigurimet e jetës po shfaqin një rritje të qëndrueshme. Gjatë periudhës janar – gusht 2025, primet e shkruara në këtë segment arritën në 1.5 miliardë lekë, me një rritje të fortë prej 13.5% krahasuar me vitin e kaluar.
Kjo rritje interpretohet si një tregues i rritjes së ndërgjegjësimit të individëve për mbrojtjen afatgjatë dhe për nevojën për instrumente financiare më të qëndrueshme.
Menaxhim më efikas i dëmeve
Një element i rëndësishëm i performancës së tregut është fakti se, ndonëse primet janë rritur me gati 10%, dëmet e paguara bruto kanë rënë me 2.3%, duke arritur në 5.47 miliardë lekë. Ky zhvillim sugjeron përmirësim në menaxhimin e riskut, ulje të abuzimeve dhe efikasitet më të madh në trajtimin e dosjeve të dëmshpërblimeve.
Perspektivat e tregut
Tregu i sigurimeve në Shqipëri po tregon shenja të qarta maturimi: rritje e qëndrueshme në produktet motorike, diversifikim i ngadalshëm në segmentin vullnetar dhe një zhvillim premtues në sigurimet e jetës.
Megjithatë, sfidë mbetet rritja e penetrimit të sigurimeve jo të detyrueshme dhe rritja e besimit të publikut për produkte të reja, sidomos në fushën e shëndetit dhe atë të sigurimit të pronave. /ekofin.al
