Ashtu siç është bërë traditë tashmë, në 1 tetor realizohet indeksimi i pensioneve. Sipas përllogaritjeve të INSTAT, inflacioni i çmimeve të shportës për pensionistët është llogaritur në 4.1%. Ekofin mëson se indeksimi është miratuar nga Këshilli Administrativ i ISSH dhe tashmë pritet të miratohet në Këshillin e Ministrave për të nisur zbatimin nga data 1 tetor.
Vlerësohet se janë rreth 770 mijë përfitues që përfitojnë sipas kategorive të pensioneve dhe që do të marrin shtesë nga indeksimi në pensionet e muajit tetor. Në buxhetin e vitit 2024 fondi për indeksimin ishte përllogaritur në 4.1 miliardë lekë dhe kjo nuk ndryshoi me rishikimin e bërë me Aktin e fundit Normativ.
Kjo do të thotë se indeksimi do të realizohet sërish në bllok, siç është bërë edhe vitet e tjera. Në këtë mënyrë, një kategori relativisht e madhe pensionistësh, që marrin më pak se 15 mijë lekë në muaj do të përfitojnë diku te 500 lekë nga indeksimi. Ndërsa ata që janë altualisht pensione të larta, përfshirë këtu zyrtarët e lartë, ish-ushtarakët, etj. që kanë pensione më të larta, do të përfitojnë një shtesë më të konsiderueshme.
Mesatarisht, pensionet urbane të pleqërisë do të indeksohen me rreth 750 lekë, ndërsa ato rurale me afro 450 lekë. Vitin e kaluar, për shkak se inflacioni i pensionistëve ishte shumë më i lartë, indeksimi i pensioneve në tetor u bë me mbi dyfishin e shifrës së këtij viti, me 8.6%. /Ekofin.al

