Në vitin 2024, përqindja globale e punonjësve të angazhuar ra nga 23% në 21%. Angazhimi ka rënë vetëm dy herë gjatë 12 viteve të fundit, në vitin 2020 dhe 2024. Rënia me dy pikë e vitit të kaluar ishte e barabartë me rënien gjatë vitit të izolimeve dhe kufizimeve të lidhura me COVID-19. Kjo është gjetja e raportit të Gallup “State of Global Workplace” e vitit 2025.
Por, si krahasohet Shqipëria me vendet e tjera të Ballkanit?
Sipas treguesit “Angazhimi i punonjësve”, Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të angazhimit të punonjësve në Evropë, duke u pozicionuar e dyta pas Rumanisë. Sipas të dhënave, 29% e punonjësve shqiptarë raportojnë se janë të angazhuar në vendin e punës, me një rritje prej 3 pikë përqindjeje krahasuar me periudhat e mëparshme. Ky rezultat e vendos Shqipërinë si lideren e padiskutueshme në rajonin e Ballkanit.
Në vendin e tretë renditet Kosova, me 25% të punonjësve të angazhuar, duke treguar një trend pozitiv, por ende nën Shqipërinë me 4 pikë diferencë. Në kontrast të fortë, Maqedonia e Veriut ka pësuar një rënie të dukshme, duke zbritur në vetëm 20% dhe duke humbur 5 pikë nga periudha e kaluar. Edhe Bosnja dhe Hercegovina, Sllovenia, Bullgaria dhe Serbia shënojnë nivele të ulëta të angazhimit, rreth 17%, ndërsa Mali i Zi qëndron në 16%, shumë më poshtë se mesatarja rajonale, ndërsa Kroacia, e cila me vetëm 5% të punonjësve të angazhuar renditet e fundit jo vetëm në Ballkan, por edhe në gjithë Evropën.
Klima e punës në Ballkan: Shqipëria në mes, Kosova në krye, Bullgaria dhe Maqedonia në fund
Të dhënat mbi perceptimin e qytetarëve për klimën e punës, nëse është një kohë e mirë apo e keqe për të gjetur punë, e rendisin Shqipërinë në vendin e 19-të me 59% të qytetarëve që besojnë se tani është një moment i mirë për të gjetur punë, duke shënuar një rritje prej 5 pikësh. Ky nivel e vendos vendin në mes të tabelës, mbi disa nga fqinjët ballkanikë, por larg liderëve rajonalë.
Kosova shfaqet si historia më pozitive e rajonit, duke u renditur në vendin e 11-të me 64%, një tregues që e pozicionon pranë vendeve të Evropës Qendrore dhe Veriore si Austria (64%) dhe Malta (65%). Sllovenia, me 71%, është ndër vendet më të mira në Evropë dhe kryeson bindshëm në Ballkan.
Në anën tjetër, disa vende të rajonit shfaqin rezultate më pesimiste. Serbia qëndron në vendin e 32-të me vetëm 49%, ndërsa Mali i Zi dhe Italia raportojnë gjithashtu 49%. Maqedonia e Veriut ka një shifër edhe më të ulët, me 47%, ndërsa Bullgaria renditet ndër më negativet në Evropë me vetëm 42%. Kroacia, me 55%, pozicionohet disi më mirë se Serbia dhe Bullgaria, por gjithsesi nën Shqipërinë.
Kush kërkon më shumë të ndryshojë punë?
Të dhënat mbi përqindjen e punonjësve që po shohin aktivisht ose po kërkojnë mundësi për një punë të re, tregojnë një pamje interesante për Ballkanin, ku vendet ndryshojnë dukshëm në nivelin e lëvizshmërisë së punonjësve.
Shqipëria renditet në vendin e 8-të me 36% të punonjësve që deklarojnë se janë duke kërkuar për një punë të re. Megjithëse kjo shifër e vendos Shqipërinë mes dhjetë vendeve të para në Evropë, ajo shënon një rënie prej 6 pikësh krahasuar me matjen e kaluar, duke sugjeruar një ulje të dëshirës për ndryshim pune.
Krahasuar me Ballkanin, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë nga 34%, një nivel disi më i ulët se Shqipëria, duke treguar gjithsesi një dëshirë të fortë për të lëvizur nga vendi i punës aktual ndërkohë Serbia dhe Kroacia ndodhen në nivelin 33%, pra shumë pranë mesatares evropiane.
Ndërkohë Mali i Zi, me vetëm 32%, është pak më poshtë, por përsëri tregon se një e treta e punonjësve kërkojnë opsione të reja, ndrësa Bosnja dhe Hercegovina ka një shifër dukshëm më të ulët: vetëm 30%, ndërsa Sllovenia bie në 28%, duke treguar se punonjësit në këto vende janë më të qëndrueshëm ose më pak të interesuar për të ndërruar punë.
Bullgaria, me 23%, është vendi më i ulët në rajon, duke reflektuar ose një mungesë mundësish në treg, ose një nivel më të lartë stabiliteti në pozicionet aktuale. /ekofin.al

