Strategjia Afatmesme e Menaxhimit të Borxhit (SAMB 2025-2029), e nxjerrë në konsultim publik, parashikon disa drejtime kryesore, ku si synim më i rëndësishëm mbetet ulja e ekspozimit ndaj risqeve dhe garantimin e qëndrueshmërisë fiskale përmes reduktimit të kostove të shërbimit të borxhit.
Sipas dokumentit, kjo do të arrihet duke përmirësuar strukturën e portofolit të borxhit, rritur likuiditetin e titujve shtetërorë dhe forcuar transparencën në tregjet financiare. Zhvillimi i tregut të titujve mbetet një nga prioritetet, me qëllim eliminimin e primeve të larta të riskut që burojnë nga mungesa e likuiditetit.
Një nga sfidat më të mëdha është risku i rifinancimit, pasi çdo vit kërkohet rifinancim deri në 15% të PBB-së, ku pjesa më e madhe lidhet me borxhin e brendshëm. Strategjia synon zgjatjen e maturitetit të borxhit dhe shpërndarjen më të qëndrueshme të pagesave, duke përdorur instrumente si ankandet e parablerjes dhe shkëmbimit. Në këtë mënyrë synohet ulja e peshës së titujve afatshkurtër në portofol, për të shmangur presionet e papritura mbi buxhetin.
Përveç rifinancimit, një tjetër dimension kritik është risku i normave të interesit dhe kursit të këmbimit. Me mbi 90% të borxhit të brendshëm të lidhur me norma fikse interesi, presionet afatshkurtra janë të kufizuara, por strategjia mbetet e fokusuar në ruajtjen e stabilitetit dhe reduktimin e titujve me norma të ndryshueshme. Po ashtu, për të menaxhuar ekspozimin valutor, do të synohet përqendrimi i huamarrjes në Euro dhe ruajtja e raporteve të qëndrueshme mes borxhit në valutë dhe rezervës valutore.
Strategjia thekson se një element tjetër i rëndësishëm është menaxhimi i garancive shtetërore, të cilat do të mbahen nën nivelin 5% të borxhit qendror. Këto garanci do të përdoren vetëm për ndërmarrje shtetërore me reforma konkrete, projekte investimi, masa në raste krize financiare apo për ristrukturimin e huave me risk të lartë. Njëkohësisht, do të përgatitet një metodologji standarde për vlerësimin e riskut të entiteteve që përfitojnë garanci, duke synuar rritjen e efektivitetit dhe uljen e barrës mbi buxhetin.
Në fund, zhvillimi i tregut të titujve shtetërorë do të mbetet boshti i reformave. Masa si krijimi i madhësive benchmark për obligacionet afatmesme e afatgjata, zgjerimi i bazës së investitorëve vendas e të huaj, zbatimi i skemës Market Maker dhe forcimi i komunikimit transparent me tregjet, do të shërbejnë për të rritur likuiditetin, efiçencën dhe transparencën. Këto hapa pritet të ulin koston e huamarrjes, të rrisin besueshmërinë e tregut financiar vendas dhe të forcojnë stabilitetin afatmesëm të financave publike./ekofin.al

