Në ambientet e Bankës së Shqipërisë u zhvillua sot një takim i rëndësishëm mes Bankës së Shqipërisë dhe Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave (SHSHB), me synim forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit mbi sfidat dhe zhvillimet më të fundit në sektorin bankar.
Takimi u drejtua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, ndërsa morën pjesë drejtues të lartë të Bankës, Kryetari i Bordit të SHSHB-së dhe Drejtor i Përgjithshëm i OTP Albania, z. Bledar Shella, si dhe anëtarë të tjerë të Bordit Drejtues.
Diskutimet u fokusuan te zhvillimet në sistemet e pagesave, procesi i digjitalizimit, promovimi i pagesave elektronike, operacionalizimi i ardhshëm i pagesave ndërkufitare në skemat SEPA, investimet në infrastrukturë moderne dhe forcimi i mbikëqyrjes bankare.
Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka qenë pararojë në revolucionin digjital të shërbimeve financiare. Ai vuri në dukje rritjen e dukshme të pagesave elektronike, nga vetëm 4 për frymë në vitin 2016, në 23 pagesa për frymë në vitin 2024, si dhe rritjen e përfshirjes financiare në 78% të popullsisë, nga rreth 40% në vitin 2017.
Një pikë kulmore e këtij procesi do të jetë 7 tetori 2025, kur pritet të nisë operacionalizimi i pagesave ndërkufitare në skemat SEPA, të cilat do të ofrojnë shpejtësi dhe kosto më të ulëta për transaksionet me vendet e BE-së. Sipas Guvernatorit, ky hap do të ketë efekte pozitive zinxhir për ekonominë shqiptare.
Ai shtoi se kalimi drejt pagesave digjitale ka përfitime të shumta: uljen e përdorimit të cash-it, rritjen e formalizimit, reduktimin e evazionit fiskal, rritjen e sigurisë, si dhe mbështetjen e integrimit evropian. Por, theksoi se përshpejtimi i këtij procesi kërkon infrastrukturë të përshtatshme, kosto të përballueshme, kuadër rregullator të qartë dhe rritje të edukimit financiar dhe teknologjik të publikut.
Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit ishte rritja e kreditimit, sidomos në drejtim të bizneseve dhe individëve, me fokus të veçantë tek bujqësia – një sektor kyç për zhvillimin dhe punësimin në vend. Bankat kanë filluar të ofrojnë instrumente më fleksibël financimi, të përshtatura për nevojat e fermerëve dhe sipërmarrësve.
Guvernatori Sejko theksoi nevojën për koordinim të ngushtë mes institucioneve dhe sektorit bankar për të rritur efektshmërinë e masave, ndërsa SHSHB falënderoi Bankën e Shqipërisë për nxitjen e këtij dialogu, duke shprehur angazhimin e bankave për të vijuar të mbeten partnerë të zhvillimit ekonomik, me produkte inovative dhe të qasshme për qytetarët dhe bizneset.
