Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij Jakob Štunf.
Në fillim të takimit, Guvernatori Sejko i uroi suksese Ambasadorit Štunf në detyrën e tij të re, duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes dy vendeve.
Guvernatori prezantoi situatën aktuale ekonomike dhe financiare të vendit, duke theksuar se aktiviteti ekonomik është rritur me ritme të qëndrueshme, inflacioni është stabilizuar në nivele të ulëta dhe tregjet financiare janë karakterizuar nga qetësia dhe kushte akomoduese. Ai nënvizoi se politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka siguruar stabilitetin e çmimeve, ndërsa besimi i investitorëve është forcuar nga tre uljet e fundit të rrezikut të borxhit të Shqipërisë nga Moody’s dhe Standard & Poor’s, që përkthehen në kosto më të ulëta financimi në tregjet ndërkombëtare.
Në fokus të takimit ishte edhe modernizimi i sistemeve të pagesave dhe zhvillimi i pagesave elektronike. Sejko theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, i cili hyn në fuqi më 7 tetor 2025, do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve kryerjen e pagesave më të shpejta dhe më të lira me vendet evropiane, duke u konsideruar si një hap i rëndësishëm drejt integrimit europian.
Nga ana e tij, Ambasadori Štunf vlerësoi progresin ekonomik të Shqipërisë, duke e cilësuar stabilitetin makroekonomik si një arritje të rëndësishme në rrugën e anëtarësimit në BE. Ai theksoi kontributin e Bankës së Shqipërisë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të tregut financiar, duke shtuar se turizmi është tashmë një motor i rëndësishëm i rritjes ekonomike në vend.
Takimi u ndal gjithashtu te bashkëpunimi përmes Qendrës së Ekselencës në Financë (CEF), me seli në Lubjanë, ku Banka e Shqipërisë është e angazhuar prej dy dekadash. Guvernatori Sejko shprehu mirënjohje për partneritetin afatgjatë, duke theksuar rolin e CEF si një platformë rajonale për ndarjen e njohurive dhe forcimin e institucioneve.
Në përfundim, të dyja palët theksuan rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike, nxitjes së investimeve dhe shkëmbimit të përvojave, në kuadër të proceseve integruese të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
