Kur kompanitë globale vendosin ku të investojnë, cilësia e kodit tatimor të një vendi mund të jetë po aq e rëndësishme sa madhësia e tregut apo kostoja e fuqisë punëtore.
Një kod më i thjeshtë dhe më neutral i ndihmon investitorët të parashikojnë kthimet dhe ul vështirësitë e pajtueshmërisë.
Të dhënat nga Indeksi i Konkurrueshmërisë Tatimore Ndërkombëtare 2024 i Tax Foundation, të përpunuara nga Visual Capitalist, vlerëson anëtarët e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) mbi sa efikasisht mbledhin të ardhura përmes tatimeve individuale, korporative, mbi pronën dhe konsumin, si dhe mbi rregullat e tyre për fitimet ndërkufitare.
Estonia: Kodi më i mirë tatimor në botë?
Estonia kryeson indeksin për të 11-in vit radhazi, duke marrë një rezultat perfekt 100. Tatimi i saj i sheshtë 20% si për të ardhurat personale ashtu edhe për të ardhurat e korporatave aplikohet vetëm kur fitimet shpërndahen, duke shpërblyer riinvestimin dhe kufizuar tatimin e dyfishtë. Vendi gjithashtu shmang taksat mbi pasurinë dhe trashëgiminë dhe mban tatimet mbi pronën e paluajtshme në nivel lokal, duke reduktuar shtrembërimet. Në tërësi, këto elementë krijojnë një sistem të lehtë për t’u administruar që ushqen skenën e startupeve në Baltik dhe tërheq investime të qëndrueshme të huaja.
Pas saj vjen Letonia me 92.2 pikë, e cila ndjek një model të ngjashëm me thjeshtësi dhe neutralitet tatimor. Zelanda e Re është në vendin e tretë me 84.2 pikë, duke kryesuar për taksat mbi konsumin (vend i 2-të), edhe pse qëndron më poshtë në taksat korporative (30).
Zvicra renditet e katërta me 83.6 pikë, falë avantazheve në rregullat tatimore ndërkufitare (vend i parë), por me një pikë të dobët në taksat mbi pronën (36). Lituania plotëson pesëshen e parë me 79.5 pikë, duke balancuar mirë mes tatimeve individuale dhe atyre mbi biznesin.
Panorama evropiane
Në Evropë dallohet qartë dominimi i vendeve baltike: Estonia (100), Letonia (92.2) dhe Lituania (79.5), të cilat kanë sisteme tatimore efikase, transparente dhe të favorshme për investime. Pas tyre qëndrojnë Zvicra (83.6) dhe Luksemburgu (78.8), dy qendra tradicionale financiare. Hungaria (77.5) dhe Republika Çeke (77.3) shfaqen gjithashtu si shembuj të rajonit qendror të Evropës me sisteme relativisht konkurruese.
Ndër shtetet e mëdha të BE-së, pozicionet janë dukshëm më të ulëta: Gjermania merr vetëm 66.8 pikë (vendi 16) Austria ka 67.9 pikë (vendi 15), Italia dhe Franca renditen mes më të dobëtave, respektivisht me 47.2 pikë (vendi 37) dhe 50.2 pikë (vendi 36); Spanja është pak më sipër me 56.3 pikë (vendi 33); Polonia qëndron gjithashtu poshtë me 57.4 pikë (vendi 31).
Në përgjithësi, Evropa paraqet një ndarje të qartë: veriu dhe qendra e kontinentit (Balltiku, Zvicra, Luksemburgu, Hungaria, Çekia) shfaqin sisteme më konkurruese, ndërsa perëndimi dhe jugu i Evropës (Franca, Italia, Spanja, Portugalia) vuajnë nga norma të larta, kompleksitet i rregullave dhe taksa të shumta mbi konsumin dhe pronën.
Pse ekonomitë e mëdha mbeten pas në indeksin tatimor
Madhësia e ekonomisë nuk garanton një kod tatimor konkurrues. SHBA renditet në mes të listës, e rënduar nga sistemi i saj i tatimit mbi shtetësinë, që mund të tatojë të ardhurat dhe fitimet jashtë vendit. Ndërkohë, Franca dhe Italia qëndrojnë në fund të tabelës, të mbingarkuara nga taksa të larta mbi pagat dhe baza të ngushta të tatimeve mbi konsumin. Këto zgjedhje bëhen me vetëdije, për të zgjeruar rrjetin e sigurimeve shoqërore, por ato gjithashtu shtojnë shtrembërimet dhe ngadalësojnë rrjedhën e kapitalit ndërkufitar.
Ana tjetër e “Konkurrueshmërisë Tatimore”
Konkurrueshmëria tatimore, ashtu siç matet nga Tax Foundation, u jep përparësi lëvizshmërisë së biznesit dhe flukseve të investimeve mbi objektiva të tjera të politikës si ulja e pabarazisë; inancimi i shërbimeve të fuqishme publike; qëndrueshmëria fiskale afatgjatë, si dhe zgjedhja demokratike mbi madhësinë e qeverisë.
Sistemi i Estonisë funksionon shumë mirë për të tërhequr kapital dhe biznese, por mund të mos jetë optimal për ndërtimin e një shteti social gjithëpërfshirës ose për adresimin e pabarazisë. Dhe shumëkush do të argumentonte se edhe këto janë masa po aq të rëndësishme për një sistem tatimor të mirë./ekofin.al

