Sot në orën 09:30, kryeministri Edi Rama mbledh Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste në Pallatin e Kongreseve, ku do të shpallë përbërjen e kabinetit të ri qeveritar dhe prioritetet e mandatit të katërt, që do të zgjasë deri në vitin 2029. Pas Asamblesë, Rama do të zhvillojë edhe mbledhjen e parë me deputetët e rinj të zgjedhur më 11 maj.
Kureshtja është e madhe për emrat e ministrave. Në rrjet kanë qarkulluar versione të ndryshme, por sot do të jetë kryeministri që do t’i japë fund thashethemeve dhe do të zbulojë ekipin e tij. Vetë Rama ka paralajmëruar një miksim mes ministrave me profil politik dhe atyre teknicienë të ardhur nga jashtë vendit. Gjithashtu parashikohet të ketë edhe një ristrukturim të ministrive aktuale, me krijimin e ministrive të reja.
Më tej, Kuvendi nis zyrtarisht një ditë më vonë, 12 shtator, ora 10:00, legjislaturën e re, me një seancë ceremoniale të drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, ku ngrihet komisioni i verifikimit të mandateve. Pasditen e së premtes, deputetët do të bëjnë betimin dhe Parlamenti do të zgjedhë me votim të fshehtë kryetarin e ri të Kuvendit, i cili propozohet nga Partia Socialiste.
Sipas Kushtetutës, Presidenti Bajram Begaj emëron Kryeministrin me propozim të shumicës parlamentare. Më pas, Rama ka 10 ditë kohë për të paraqitur në Kuvend programin e qeverisë dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Seanca e miratimit të qeverisë është një nga më të rëndësishmet, me debate që tradicionalisht zgjasin dy ditë. Pas votimit dhe betimit para Presidentit, qeveria “Rama 4” nis zyrtarisht punën.
