Në Konferencën e Ambasadorëve DIPLO 2025, që u zhvillua në Tiranë, Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), znj. Laura Saro, mori pjesë në panelin e katërt me temë “Diplomacia e Zgjuar dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm”.
Duke folur përpara përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe institucioneve ndërkombëtare, znj. Saro theksoi rëndësinë që ka diplomacia ekonomike në procesin e tërheqjes së investimeve të huaja, duke e cilësuar atë një instrument të domosdoshëm për të forcuar imazhin e Shqipërisë si një vend me mundësi të shumta zhvillimi.
“Për AIDA-n, qëndrueshmëria është një element thelbësor në vizionin për të ardhmen e Shqipërisë. Ne po punojmë jo vetëm për të tërhequr investime, por për të krijuar një ekosistem ku bizneset të rriten në harmoni me standardet e gjelbra dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. Diplomacia ekonomike është ura që lidh këtë vizion me tregjet ndërkombëtare,” – u shpreh znj. Saro gjatë diskutimit.
Në vijim, ajo prezantoi edhe dy prej instrumenteve kryesore që AIDA ka zhvilluar për të mbështetur biznesin dhe investitorët:
- E-Invest, platforma digjitale që thjeshton dhe përshpejton procedurat për investitorët, duke ofruar transparencë dhe akses të lehtë në informacion;
- Export Albania, një mjet praktik për të ndihmuar eksportuesit shqiptarë të depërtojnë dhe të konsolidohen në tregjet ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e AIDA-s në DIPLO 2025 shënon një hap tjetër në përforcimin e bashkëpunimit mes politikës së jashtme dhe zhvillimit ekonomik, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të hartës rajonale si një vend që ofron mundësi të qëndrueshme dhe afatgjata për investitorët. /ekofin.al
