Inflacioni në Eurozonë u rrit në 2.1% gjatë gushtit, pak mbi parashikimet, por ende pranë objektivit të Bankës Qendrore Evropiane (BQE). Inflacioni bazë mbeti i pandryshuar në 2.3%.
Sipas vlerësimit paraprak të Eurostat, inflacioni vjetor në zonën euro u ngjit në 2.1% në gusht, nga 2.0% në korrik, duke tejkaluar parashikimet e ekonomistëve që prisnin stabilitet. Në bazë mujore, çmimet u rritën me 0.2%, pas një rezultati të pandryshuar muajin e kaluar.
Inflacioni bazë – që përjashton energjinë, ushqimin, alkoolin dhe duhanin – mbeti në 2.3% për të katërtin muaj radhazi. Kjo tregon se presionet e brendshme të çmimeve mbeten të qëndrueshme, por jo në një nivel alarmant.
Shërbimet ftohen lehtë
Çmimet e mallrave industriale jo-energjetike qëndruan në 0.8%, ndërsa energjia vazhdoi të ulej me 1.9%, krahasuar me rënien prej 2.4% në korrik. Vendet e Eurozonës vijojnë të kenë dallime të mëdha: Estonia regjistroi inflacionin më të lartë me 6.2%, e ndjekur nga Kroacia me 4.6%. Franca dhe Qiproja shënuan nivelet më të ulëta, përkatësisht 0.8% dhe -0.1%.
Në bazë mujore, Belgjika doli në pah me një rritje çmimesh prej 1.5%. Në të kundërt, disa vende përjetuan deflacion: Greqia -0.6%, Lituania dhe Finlanda -0.3%, Letonia dhe Italia -0.2%, ndërsa Portugalia -0.1%.
Çfarë pritet nga BQE?
Banka Qendrore Evropiane, në mbledhjen e fundit të korrikut, vendosi të pezullojë uljet e normave të interesit pas tetë reduktimeve radhazi. Presidentja Christine Lagarde u shpreh se BQE është “në një pozicion të mirë”, por paralajmëroi për pasiguritë e lidhura me politikat tregtare dhe zinxhirët globalë të furnizimit.
Me inflacionin pranë objektivit të saj dhe papunësinë në Eurozonë në minimumin historik prej 6.2%, tregjet nuk presin ndryshime në politikat monetare në mbledhjen e Këshillit Drejtues më 10 shtator. Norma e depozitës pritet të mbetet në 2%, teksa BQE ndjek një qasje “prit e shiko”.
Tregjet në ankth nga pasiguritë politike
Tregjet evropiane panë rënie të aksioneve të martën, ndërsa pasiguria politike shtoi nervozizmin e investitorëve. Franca dhe Holanda po përballen me destabilitet të brendshëm.
Në bursë, LVMH shënoi rritje me 3.2% pasi HSBC ngriti objektivin e çmimit në 625 € nga 535 €. Në kahun tjetër, Siemens ra me 2.9% dhe ASML humbi 2%.
Në tregjet valutore, euro ra me 0.7% në 1.1630 dollarë, duke reflektuar prirjen e investitorëve për dollarin si monedhë më të sigurt.
Ndërkohë, metalet e çmuara tërhoqën vëmendjen: ari kaloi për herë të parë nivelin prej 3,500 $ për ons, ndërsa argjendi u ngjit mbi 40 $ për ons – niveli më i lartë që prej shtatorit 2011./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
