Ari ka shënuar një rekord të ri duke kaluar çmimin prej 3,500 dollarësh për ons. Kjo rritje vjen nga dobësimi i dollarit amerikan dhe shpresat se banka qendrore e SHBA-së do të ulë normat e interesit.
Një analist i tregut vuri në dukje se “perspektiva e zbehur ekonomike dhe pritjet për politika më lehtësuese monetare po rrisin oreksin për metalet e çmuara.”
Në këtë situatë ka ndikuar edhe pasiguria që lidhet me asetet në dollarë, pasi presidenti Donald Trump ka shtuar kritikat ndaj Fed dhe kreut të saj, Jerome Powell. Trump ka kërkuar ulje më të shpejtë të normave të interesit dhe së fundmi ka sulmuar edhe shpenzimet për rinovimin e ndërtesës qendrore të Fed në Uashington. Tregtarët aktualisht llogarisin me 90% gjasa një ulje prej 0.25 pikë përqindjeje në mbledhjen e 17 shtatorit.
Ari zakonisht përfiton nga një mjedis me norma të ulëta, pasi nuk sjell të ardhura si obligacionet apo depozitat, por mbetet i qëndrueshëm si ruajtës vlere. Në të njëjtën kohë, dobësimi i dollarit e ka bërë atë më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë.
I njohur prej dekadash si një mbrojtje kundër pasigurive ekonomike dhe gjeopolitike, ari ka thyer disa herë rekorde gjatë këtij viti, i mbështetur nga blerjet e bankave qendrore dhe kërkesa për siguri në mes të tensioneve tregtare globale.
