Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë muajit Korrik 2025 janë regjistruar 131 aksidente rrugore në të gjithë vendin, nga të cilat janë aksidentuar 194 persona, përfshirë të plagosur dhe të vrarë.
Pavarësisht këtij bilanci mujor, INSTAT raporton se në periudhën Janar – Korrik 2025, është shënuar një ulje prej 16,0% në numrin e aksidenteve rrugore krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në 89,3% të rasteve, aksidentet rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit, duke e konfirmuar sërish nevojën për më shumë ndërgjegjësim dhe kontrolle në trafik.
Grupmosha 25-34 vjeç ka rezultuar më e përfshirë në aksidente, duke shkaktuar 28,2% të tyre. Kjo kategori vijon të jetë në fokus të autoriteteve për fushata sensibilizuese dhe ndërhyrje parandaluese.
Sipas raportit, dita e Martë ka regjistruar numrin më të lartë të aksidenteve gjatë muajit Korrik, me 19,8%, ndërsa dita më e qetë në rrugë ka rezultuar të jetë e Premtja, me vetëm 9,2% të aksidenteve.
Shumica e aksidenteve ndodhin në orët e paradites. Në harkun kohor 08:00 – 12:00 janë shënuar 28,2% e aksidenteve gjithsej, çka tregon për një risk të shtuar në periudhat e trafikut të ngarkuar të mëngjesit./ekofin.al
