Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) ka dalë me një paketë të gjerë propozimesh për qeverinë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në politikat fiskale që prekin tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas shoqatës, tatimi aktual mbi fitimin kapital prej 15 % ka sjellë efekte negative për tregun, buxhetin e shtetit dhe qytetarët. Propozimet i janë dërguar zyrtarisht Ministrisë së Financave, e cila në fund të korrikut nxori në konsultim draftet për rivlerësimin, si edhe për referencat e reja, mbi të cilat do të përllogaritet taksa e pronës në të gjithë vendin.
Sipas NAREA-s, niveli i lartë i tatimit ka ngadalësuar transaksionet, ka tkurrur ofertën e banesave dhe ka penguar zhvillimin e një tregu të shëndetshëm. Krahasimet e bëra tregojnë se në vitet 2020–2022, kur tatimi mbi fitimin kapital ishte vetëm 3 %, buxheti i shtetit ka arkëtuar mesatarisht 44 milionë euro në vit, rreth 60 % më shumë se vitet kur norma është 15 %. “Një barrë fiskale kaq e rëndë jo vetëm që dëmton tregun, por edhe ul të ardhurat buxhetore dhe nxit informalitetin”, – thekson NAREA.
Lajmërimet e hershme, vonesat në trajtimin e iniciativave, mungesa e konkretizimeve, paqartësia për të ardhmen, të gjitha së bashku kanë sjell efekte negative në dinamikën e tregut. Gjatë 5 viteve të fundit, ashtu si pjesa tjetër e tregjeve, Shqipëria ka operuar në tregun e shitësit. Me shtyrjen e trajtimit të këtyre propozime, veç sa thellohet hendeku i pronave në shitje duke u tërhequr nga tregu deri në vendosjen në lëvizje të mekanizmave lehtësues, thekson NAREA.
Në emër të mbi 115 Zyrave të Real Estate, shoqata ka paraqitur argumentet mbështetëse për uljen e Tatimit mbi Fitimin Kapital të Realizuar, implementimin e rivlerësimit e Tatimit në masën 3% mbi Fitimin Kapital të Realizuar dhe zhbllokimin e tregut.
Tatimi i të ardhurave nga shitja e pasurive të paluajtshme, “tatimi mbi fitimin kapital të realizuar” në masën 15% është provuar tashmë se ka disa efekte negative të drejtpërdrejta, në sektorin e Veprimtarive me Pasuritë e Paluajtshme. Nga krahasimi i 5 viteve te fundit, tregohet se në vitet 2020-21-22 ku tatimi ka qenë në nivelet 3%, për buxhetin e shtetit janë realizuar mesatarisht 44 milionë euro/vit të ardhura nga rishitja e pasurive të paluajtshme, deri në rreth 60% me tepër në krahasim me vitet kur tatimi ka qenë 15%. Në këtë kontekst, si NAREA ne ndajmë qëndrimin se një barrë fiskale kaq e lartë, prej 15%:
a) Ngadalëson transaksionet, duke ngurtësuar investimet, konsumimin e stokut, sjellë tkurrjen e ofertës dhe duke asgjësuar alternativën e një strehimi të përballueshëm.
b) Ndikon negativisht në të ardhurat buxhetore, me të paktën 40 milionë euro.
c) Nxit informalitetin, duke prodhuar mënyra më të sofistikuara për të shmangur barrën.
a) Ngadalëson transaksionet, duke ngurtësuar investimet, konsumimin e stokut, sjellë tkurrjen e ofertës dhe duke asgjësuar alternativën e një strehimi të përballueshëm.
b) Ndikon negativisht në të ardhurat buxhetore, me të paktën 40 milionë euro.
c) Nxit informalitetin, duke prodhuar mënyra më të sofistikuara për të shmangur barrën.
Propozimet kryesore të NAREA
•Ulje e tatimit mbi fitimin kapital: 3 % për banesat dhe 5 % për tipologji të tjera pasurish të paluajtshme.
•Zgjatje e periudhës së rivlerësimit: të paktën 12 muaj (tetor 2025 – shtator 2026 ose janar – dhjetor 2026), pasi periudha 9-mujore e parashikuar vlerësohet e pamjaftueshme për të përfshirë më shumë pronarë.
•Përfshirja në rivlerësim e pasurive në proces (kontrata porosie të regjistruara në ASHK), për të garantuar trajtim të barabartë.
•Lehtësi për blerësit e parë të banesave, duke ndjekur praktikat e vendeve të BE-së, për të nxitur strehimin e përballueshëm për familjet e reja.
•Përjashtim nga tatimi për banesën kryesore, nëse ajo ka shërbyer si vendbanim për të paktën 3 vite.
•Korrigjim i bazës tatimore me inflacionin dhe kostot e financimit (kredi, interesa, restaurime) përpara llogaritjes së tatimit.
•Rimbursim i tatimit në rast se të ardhurat nga shitja ri-investohen brenda 12 muajve në një pasuri tjetër.
NAREA thekson se sektori i pasurive të paluajtshme, në ndërveprim me ndërtimin dhe turizmin, përbën rreth një të tretën e ekonomisë shqiptare. Për këtë arsye, lehtësitë fiskale në këtë sektor shihen si domosdoshmëri për të ruajtur dinamizmin e tregut, për të nxitur investimet dhe për të ofruar alternativa më të përballueshme strehimi.
“Një politikë fiskale e mençur dhe e balancuar do të sillte më shumë transparencë, formalizim dhe të ardhura për shtetin, duke e kthyer tregun e pasurive të paluajtshme në një motor zhvillimi ekonomik,” – përfundon NAREA.
