Eksportet shqiptare kanë shënuar një rritje në muajin Korrik 2025, ndërsa importet kanë pësuar rënie në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë gjithashtu një ngushtim të deficitit tregtar si në bazë mujore ashtu edhe në atë shtatëmujore.
Në Korrik 2025, eksportet e mallrave arritën vlerën 35 miliardë lekë, duke u rritur me 5,7% në krahasim me Korrikun 2024 dhe duke u ulur me 0,5% krahasuar me muajin paraardhës, qershor 2025. Ndërkohë, importet e mallrave arritën vlerën 83 miliardë lekë, duke pësuar një ulje vjetore prej 2,4%, por një rritje mujore prej 9,1%, krahasuar me muajin qershor.
Deficiti tregtar për muajin Korrik ishte 48 miliardë lekë, që përfaqëson një ulje prej 7,5% në krahasim me Korrikun e vitit 2024 dhe një rritje prej 17,3% krahasuar me muajin qershor.
Në periudhën Janar–Korrik, eksportet e mallrave arritën vlerën 239 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 2,6%. Importet, nga ana tjetër, arritën vlerën 515 miliardë lekë, me një ulje prej 2,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Deficiti tregtar për shtatëmujorin u regjistrua në 276 miliardë lekë, me një ulje vjetore prej 5,8%.
Gjatë muajit Korrik 2025, në rritjen e eksporteve prej 5,7%, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +12,8 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,2 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +0,8 pikë përqindje, etj.
Negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -8,0 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -1,3 pikë përqindje
Për shtatëmujorin, eksportet janë rritur me 2,6% krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +9,2 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1,1 pikë përqindje, etj.
Kontribut negativ kanë dhënë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,3 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -0,7 pikë përqindje, etj.
Në Korrik 2025, në uljen e importeve prej 2,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, negativisht kanë ndikuar: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,0 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -1,7 pikë përqindje, etj.
Pozitivisht kanë ndikuar: “Ushqime, pije, duhan” me +0,9 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +0,7 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +0,7 pikë përqindje
Për shtatëmujorin, importet janë ulur me 2,1% krahasuar me periudhën përkatëse të vitit 2024. Kontributet negative vijnë nga: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -1,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,2 pikë përqindje, etj.
Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar: “Ushqime, pije, duhan” dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +0,5 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +0,3 pikë përqindje./ekofin.al

