Roboti i parë humanoid që mund të shërbejë si zëvendësuese shtatzënie mund të sjellë në jetë një foshnjë të gjallë, kanë pohuar shkencëtarët. Ekspertët po zhvillojnë teknologji që imiton një shtatzëni nga konceptimi deri në lindje, ku foshnja rritet brenda një mitre artificiale dhe merr ushqim nëpërmjet një tubi. Pas nëntë muajsh, një foshnjë e gjallë do të lindë, sipas Dr. Zhang Qifeng, themelues i kompanisë Kaiwa Technology në qytetin Guangzhou.
Dr. Zhang, doktor i diplomuar në Universitetin Teknologjik të Nanyangut në Singapor, ka deklaruar se teknologjia tashmë është në një fazë “të pjekur”. Ai shtoi: “Tani ajo duhet të vendoset në barkun e robotit, në mënyrë që një person i vërtetë dhe roboti të ndërveprojnë për të realizuar shtatzëninë, duke i lejuar fetusit të rritet brenda”. Një prototip i humanoidit pritet të dalë në treg vitin e ardhshëm për rreth 10,000 £ (100,000 juan).
Raportimet në median kineze thonë se ky humanoid është projektuar për të imituar të gjithë procesin e shtatzënisë, nga momenti i fekondimit deri te lindja. Megjithatë, mbetet e paqartë se si pikërisht do të realizohet fekondimi i vezës dhe spermës. Për gjithë periudhën e zhvillimit, foshnja do të jetojë brenda trupit të robotit, ndonëse ekspertët nuk kanë sqaruar ende si do të vendoset fetusi në mitrën artificiale. Foshnjat në zhvillim do të rrethohen nga një lëng amniotik artificial për të krijuar një mjedis të ngjashëm me mitrën.
‘Biobag’ – imitimi i mitrës biologjike
Dr. Zhang tha se kjo nuk është një ide plotësisht e re, pasi shkencëtarët kanë mbajtur më parë gjallë qengja të lindur para kohe brenda një “biobag” për disa javë. Megjithatë, inovacioni ka ndezur debate ligjore dhe etike. Dr. Zhang tha se tashmë ka nisur diskutimet me autoritetet e Provincës Guangdong për të përgatitur draftet e para të politikave dhe legjislacionit. Nëse rezulton i suksesshëm, ky zhvillim mund të revolucionarizojë shkencën mjekësore dhe konceptet tona mbi familjen dhe fertilitetin. Roboti humanoid shihet si një zgjidhje për të përballuar rritjen e nivelit të infertilitetit në Kinë, i cili është rritur nga 11.9% në vitin 2007 në 18% në vitin 2020.
Teknologji ‘problematike’
Disa kritikë e kanë dënuar këtë teknologji, duke e quajtur “problematike” dhe duke argumentuar se privimi i fetusit nga lidhja me nënën është joetik dhe mizor. Media kineze The Standard raportoi se një pjesë e ekspertëve mjekësorë janë skeptikë për aftësinë e teknologjisë për të replikuar shtatzëninë njerëzore, duke theksuar se procese biologjike komplekse, si sekrecioni i hormoneve të nënës, nuk mund të kopjohen nga shkenca.
‘Patologjizimi’ i shtatzënisë
Andrea Dworkin, shkrimtarja feministe radikale, ka kritikuar më parë teknologjinë e mitrës artificiale, duke paralajmëruar se ajo mund të çojë në “fundin e grave”. Ndërkohë, studiues nga Spitali i Fëmijëve i Filadelfias publikuan në vitin 2022 një artikull ku paralajmëronin se një teknologji e tillë mund të “patologjizojë” shtatzëninë. Megjithatë, disa të tjerë argumentojnë se mitrat artificiale mund t’i çlirojnë gratë nga rreziqet e shtatzënisë, duke bërë që ato të mos përballojnë më barrën fizike të mbajtjes së një fëmije./Përshtati nga The Telegraph, ekofin.al
