Në Strategjinë Kombëtare të Inteligjencës Artificiale 2025-2030, qeveria synon të vendosë themelet për një transformim të thellë digjital përmes ngritjes së Fabrikave të Inteligjencës Artificiale, qendra inovacioni që do të shërbejnë si motorë kryesorë për zhvillimin, testimin dhe zbatimin e zgjidhjeve të avancuara me IA. E para e këtij lloji, Fabrika e IA-së dhe e të Dhënave brenda TechSpace të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, synon të modernizojë shërbimet publike, të përshpejtojë proceset administrative dhe të nxisë inovacion në sektorë strategjikë si arsimi, shëndetësia dhe turizmi.
Fillimisht e fokusuar te sektori publik, Fabrika IA synon të mundësojë zhvillimin e shpejtë të zgjidhjeve me ndikim, të përsëritshme dhe të përshtatura sipas nevojave të ministrive të veçanta. Këto zgjidhje do të konceptohen për të qenë të shkallëzueshme dhe për t’u ripërdorur ndërinstitucionalisht, duke minimizuar përsëritjen dhe duke optimizuar burimet publike, thuhet në dokument.
Fabrika IA do të veprojë si një platformë kombëtare bashkëpunimi midis institucioneve publike, ekspertëve vendas dhe partnerëve ndërkombëtarë për të bashkëkrijuar vlerë dhe për të ndërtuar kapacitete të qëndrueshme të inteligjencës artificiale.
Për të përshpejtuar më tej inovacionin dhe rritjen ekonomike, Shqipëria do të promovojë gjithashtu krijimin e Fabrikave IA përtej sektorit publik. Qendrat e udhëhequra nga industria mund të kthehen në motorë të konkurrueshmërisë, duke u mundësuar bizneseve – veçanërisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme – të bashkëzhvillojnë dhe të adoptojnë zgjidhje të inteligjencës artificiale të përshtatura për nevojat e tyre specifike.
Duke nxitur bashkëpunimin publik-privat, ndarjen e aksesit te burimet kompjuterike, infrastrukturën e të dhënave dhe ekspertizën në fushën e inteligjencës artificiale Fabrikat IA do t’u japin mundësi kompanive vendase të rrisin produktivitetin, të zbulojnë modele të reja biznesi dhe të konkurrojnë në tregjet rajonale dhe globale.
Më shumë se sa një nismë teknike, Fabrikat IA janë një investim strategjik në sovranitetin digjital të Shqipërisë dhe konkurrueshmërinë afatgjatë, duke krijuar infrastrukturën, talentin dhe qeverisjen e nevojshme për të nxitur një ekosistem të suksesshëm të inteligjencës artificiale. Ato gjithashtu do ta pozicionojnë Shqipërinë si një lider rajonal në fushën e inteligjencës artificiale për qeverisjen publike (AI-Gov), duke demonstruar se si teknologjitë e reja mund të integrohen në mënyrë të përgjegjshme dhe efektive në operacionet e qeverisë, përfundon Strategjia. /ekofin.al
