Administrata Trump po ndërpret 22 kontrata federale për vaksinat me bazë mRNA, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e kësaj teknologjie. Qeveria amerikane ka vendosur të ndalojë financimin e 22 projekteve të përqendruara në zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave mRNA që ndihmojnë në luftimin e sëmundjeve respiratore si COVID-19 dhe gripi. Vendimi, i njoftuar nga Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., buron nga teoritë e tij personale dhe të paprovuara për efikasitetin e vaksinave, dhe përbën përpjekjen më të fundit për të futur mosbesimin ndaj vaksinave në politikat shëndetësore të SHBA.
Çfarë tha Kennedy për vaksinat?
“Ne shqyrtuam shkencën, dëgjuam ekspertët dhe vepruam,” tha Kennedy në një deklaratë. Ai shtoi se Autoriteti për Kërkime dhe Zhvillim të Avancuar Biomjekësor (BARDA) “po ndërpret 22 investime në zhvillimin e vaksinave mRNA sepse të dhënat tregojnë se këto vaksina nuk mbrojnë në mënyrë efektive kundër infeksioneve të rrugëve të sipërme respiratore si COVID dhe gripi.”
Në total, projektet e ndaluara kapin vlerën “afër 500 milionë dollarëve”, sipas Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS). Në një video të postuar në rrjetet sociale, Kennedy kritikoi vaksinat mRNA, duke shpjeguar vendimin për të anuluar projektet e udhëhequra nga kompanitë kryesore farmaceutike të vendit, përfshirë Pfizer dhe Moderna, që ofrojnë mbrojtje ndaj viruseve si gripi, COVID-19 dhe H5N1.
“Për të zëvendësuar programet problematike të mRNA, po i japim prioritet zhvillimit të strategjive më të sigurta dhe më gjithëpërfshirëse të vaksinave, si vaksinat me virus të plotë dhe platformat e reja që nuk dështojnë kur viruset pësojnë mutacione,” tha Kennedy në video. “Dua të jem absolutisht i qartë: HHS mbështet vaksinat e sigurta dhe efektive për çdo amerikan që i dëshiron ato,” theksoi ai.
Teknologjia mRNA aktualisht po përdoret jo vetëm për vaksina kundër sëmundjeve infektive, por edhe në kërkime për imunoterapitë kundër kancerit. Në një deklaratë të martën, HHS tha se “përdorimet e tjera të teknologjisë mRNA brenda departamentit nuk preken nga ky njoftim.”
Kritik afatgjatë i vaksinave
Kennedy ka qenë prej kohësh kritik i vaksinave. Që prej emërimit si sekretar shëndetësie, ai ka mbikëqyrur rishikimin e politikave shëndetësore të SHBA-së. Kennedy ka tërhequr rekomandimet për dozat e COVID-19, ka shkarkuar panelin që bën rekomandimet për vaksinat dhe ka refuzuar të japë një mbështetje të fortë për vaksinimet, edhe ndërsa një shpërthim fruthi është përkeqësuar. Ai ka urdhëruar gjithashtu një studim të ri të gjerë mbi lidhjen mes vaksinave dhe autizmit – një pretendim i hedhur poshtë prej kohësh nga komuniteti shkencor.
