Shtesa natyrore e popullsisë në Shqipëri ka shënuar një kthesë pozitive gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, pas disa periudhash me bilanc negativ. Sipas të dhënave paraprake të INSTAT, vendi regjistroi 48 lindje më shumë se vdekje, me një total prej 4.982 lindjesh dhe 4.934 vdekjesh. Megjithatë, ky përmirësim vjen në një sfond ku numri i lindjeve vijon të tkurret, duke rënë me 7,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa vdekjet kanë shënuar një rënie më të moderuar, me 3,7%.

Të dhënat tregojnë se vetëm katër qarqe të vendit kanë regjistruar shtesë natyrore pozitive, ndërsa tetë të tjera kanë pasur bilanc negativ. Tirana kryeson me diferencën më të lartë pozitive, 691 lindje më shumë se vdekje, ndërsa Korça mban rekordin negativ me 226 vdekje më shumë se lindje.
Në aspektin e lindjeve, Tirana mbetet qarku me numrin më të madh (1.982), ndërsa Gjirokastra regjistroi vetëm 74. Kukësi shënoi rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve (+6,5%), ndërsa Korça pësoi rënien më të fortë (−26%). Sa i përket vdekjeve, Kukësi qëndron në fund të listës me vetëm 119 raste, kurse Tirana në krye me 1.291. Gjirokastra shënoi rënien më të lartë të vdekjeve (−19,1%), ndërsa e vetmja rritje u regjistrua në Berat (+4,6%).
Një panoramë me kontraste
Edhe pse bilanci kombëtar në këtë tremujor rezulton pozitiv, shifrat ngrenë shqetësime afatgjata. Rënia e vazhdueshme e lindjeve, e shoqëruar me plakjen e popullsisë, tregon se kjo rritje e lehtë mund të jetë më shumë një përjashtim sesa një trend i qëndrueshëm. Tirana, me ritmet e saj më të larta natyrore, mban gjallë bilancin kombëtar, ndërsa pjesa tjetër e vendit përballet me zbrazje demografike.
Nëse këto tendenca vijojnë, vendi rrezikon që në vitet e ardhshme të përballet me mungesë të fuqisë punëtore dhe ndryshim të strukturës demografike, me pasojë presion mbi sistemet e pensioneve dhe kujdesit shëndetësor. /ekofin.al

