Kontratat e së ardhmes për arin në SHBA arritën një nivel historik të premten, pasi Financial Times raportoi se administrata e Trump kishte vendosur tarifa mbi importet e shufrave të arit me peshë një kilogram.
Kontratat e së ardhmes, të tregtuara në Comex – tregu më i madh në botë për arin – u rritën me 0,9% në 3,484.60 dollarë për ons rreth orës 11:00 sipas orës CEST. Kjo ndodhi pasi kontratat prekën një rekord prej 3,534.10 dollarë.
Financial Times tha se kishte parë një letër nga Agjencia Amerikane e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit, e datës 31 korrik, e cila specifikonte se shufrat e arit një kilogram dhe 100 ons duhet të klasifikohen në një kod doganor që i nënshtrohet taksave. Më parë, investitorët prisnin që këto lloje shufrash ari të përjashtoheshin nga tarifat e vendosura nga Trump.
Në prill, Uashingtoni kishte përjashtuar metale si ari, argjendi dhe platini nga tarifat e gjera të importit të SHBA-së, duke ulur çmimin e kontratave Comex, pasi investitorët kishin përjashtuar mundësinë e një mungese furnizimi. Para kësaj, tregtarët kishin blerë ar më të lirë nga jashtë dhe e kishin sjellë në SHBA, duke përfituar nga diferenca e çmimit mes kontratave të SHBA-së dhe treguesve të tjerë.
Deri tani këtë vit, kontratat e së ardhmes për arin në Comex janë rritur me pothuajse 34%, pasi investitorët po përshtaten me pasigurinë gjeopolitike, duke e parë arin si një vend të sigurt për të mbajtur kapitalin e tyre. Në kohë pasigurie, ari konsiderohet si një aset “strehë e sigurt” pasi vlera e tij është më pak e paqëndrueshme krahasuar me investimet e tjera, madje edhe kur monedhat bien.
“E mbështetur nga faktorë si reputacioni i tij si aset strehë dhe dobësimi i dollarit në vitin 2025 – ky zhvillim i fundit do t’i bëjë entuziastët e arit të synojnë nivelin prej 4,000 dollarësh,” tha të premten Danni Hewson, kreu i analizës financiare në AJ Bell, duke iu referuar raportit të Financial Times.
“Kjo është një tjetër goditje për Zvicrën, pas tarifës shokuese prej 39% për eksportet në SHBA, duke qenë se ajo është një nga qendrat më të mëdha të metaleve të çmuara në botë,” shtoi ajo.
Ari është një nga eksportet më të rëndësishme të Zvicrës drejt SHBA-së, dhe vendi ka dërguar rreth 61,5 miliardë dollarë (52,8 miliardë euro) ar në SHBA gjatë 12 muajve deri në qershor. Lajmi për tarifën e re është një goditje e freskët për Zvicrën, pasi administrata amerikane shpalli javën e kaluar një taksë prej 39% mbi eksportet e saj.
Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter dhe zyrtarë të tjerë të lartë udhëtuan në Uashington të martën për të tentuar uljen e normës së tarifës, e cila është ndër më të lartat e vendosura nga administrata Trump. Norma e re është mbi 2,5 herë më e lartë se ajo mbi mallrat e Bashkimit Europian të eksportuara në SHBA dhe gati katër herë më e lartë se ajo mbi eksportet britanike. Ajo është gjithashtu më e lartë se norma prej 31% që Trump kishte propozuar për mallrat zvicerane kur njoftoi të ashtuquajturat tarifa “Dita e Çlirimit” në fillim të prillit.
Deri tani, industria e fuqishme farmaceutike e Zvicrës – e cila ka premtuar investime të mëdha në SHBA muajt e fundit, pavarësisht shqetësimeve për tarifat – mbetet e përjashtuar nga norma 39%./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
