Për herë të parë, në tremujorin e dytë të vitit 2025, numri i mjeteve rrugore në qarkullim kaloi shifrën 1 milionë. Sipas të dhënave të DPSHTRR, shifra e mjeteve në total arriti në 1.002.629.
Autoveturat përbëjnë pjesën më të madhe të kësaj shifre, me 810,129 mjete të tilla, ose rreth 81%, ndërsa mjetet për transport të përzier dhe motorët zënë nga 5,9% secili.
Bie në sy se megjithë përpjekjet për rinovimin e flotës, sërish mjetet e vjetra, me vjetërsi mbi 15-vjeçare janë më të pranishme në rrugët e Shqipërisë. Nga totali i autoveturave, 590,584 janë me vjetërsi mbi 15 vjeçare, ndërsa 167,192 janë nga 9-15 vjet.
Qarku i Tiranës mban peshën më të madhe me 34,8% të mjeteve në qarkullim, i ndjekur nga Durrësi me 13,6%.
Ndërkohë, qarku i Gjirokastrës dhe ai i Kukësit regjistrojnë përqindjen më të ulët të mjeteve në qarkullim, përkatësisht me 2,1% dhe 2,4%.
Gjatë këtij tremujori janë regjistruar për herë të parë 26.976 mjete. Regjistrimet e reja në 6-mujor arritën në 47,459.
Edhe për regjistrimet e reja, Tirana zë vendin e parë me 44,2% të totalit. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024, numri total i mjeteve rrugore është rritur me 9,6%, ndërsa regjistrimet e reja kanë pësuar një rënie prej 7,3%.
Sa i përket trendit për regjistrimet e reja, “Volkswagen” mban vendin e parë me 20,1%, e ndjekur nga “Mercedes Benz” me 15,8%. Sa i përket stokut në total të mjeteve, udhëheq marka Mercedes, me afro 18%, ndjekur nga Volkswagen me 16.56%. /ekofin.al
