Baza Detare e Pashalimanit tërheq vëmendjen e investitorëve të huaj. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përmes një postimi në rrjetet sociale është shprehur se investitorë italianë janë të interesuar për të ringritur dhe vënë në funksion bazën detare të Pashalimanit.
Në videon e postuar në rrjetet sociale tregohet se tashmë ka nisur vlerësimi teknik i bazës së mirënjohur shqiptare. “Ka nisur vlerësimi teknik me partnerët italianë me qëllim ringritjen e kantjerit detar për prodhimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e anijeve të Forcës Detare”, shkruan Vengu.
Sipas drejtuesit të dikasterit të mbrojtjes, interesi i të huajve për të investuar në kapacitet ushtarake të vendit tonë është i lartë. Vengu shprehet se “Në 9 muajt e fundit, 20 shoqëri prodhuese të industrisë së mbrojtjes kanë shprehur interesin e tyre për të bashkëpunuar me KAYO, shoqërinë shtetërore të prodhimit ushtarak “Made in Albania”.
Sipas tij, përgjatë muajve qershor dhe korrik 2025, janë finalizuar negociatat me tre prej tyre duke i hapur rrugën themelimit të 3 sipërmarrjeve të reja ku shteti është aksioner në prodhimin e mjeteve të blinduara dhe mjeteve të emergjencave civile; uniformave dhe pajimeve personale; municioneve.
Ministri Vengu gjithashtu njoftoi se vijojnë negociatat për prodhimin e armatimit të lehtë, si dhe asemblimin e sistemeve të artilerisë, predhave dhe dronëve luftarakë.
