Qeveria në mbledhjen e fundit ka miratuar shpalljen zone teknologjike dhe zhvillimi ekonomik në zonën e Kasharit, të “TEDA Nexus Park Tirana” , që do të shtrihet në një sipërfaqe prej mbi 52 mijë metra katrorë dhe do të zhvillohet nga bashkimi i shoqërive “Astral” sh.p.k. dhe “Capital Resources” sh.p.k. Të dyja këto shoqëri zotërohen nga biznesmeni Sokol Kraja. Madje Capital Resources është shoqëria e Kracos dhe produkteve të tjera ushqimore, ndërsa Astral merret me veprimtarinë e ndërtimit.
Pavarësisht vendimit për shpalljen e tanishme si zonë teknologjike, e cila do të sjellë përfitime shtesë për bizneset, vetë parku ka filluar të ndërtohet që në fund të vitit 2024, sipas njoftimit të vetë kompanisë. Madje, në faqen e tij zyrtare të internetin gjendet edhe informacioni për hapësirat tregtare, shërbimet që ofron dhe shumë facilitete të tjera në shitje.
Vendndodhja strategjike e parkut në autostradën Tiranë-Durrës, te Kthesa e Rinasit, e bën atë tërheqëse për mjaft biznese.
Veprimtaritë që do të zhvillohen në TEDA janë të llojit: industri automotive, e automobilave, e mjeteve motorike të ujit, tokës dhe ajrit; industri e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT); industri e pajisjeve elektronike, inxhinierike, kimike, minerare, ndërtimi, mekanike dhe elektrike; industri farmaceutike, dentare dhe shëndetësore; industri të tjera prodhuese, përpunuese të pjesshme apo të plota; industri agropërpunuese dhe agroprodhuese; shërbime distribucioni dhe logjistike; Përpunim dhe magazinim mallrash; tregtar dhe eksport-import; industri të tjera, në përputhje me legjislacionin shqiptar.
Sipas vendimit, periudha e funksionimit të parkut do të jetë 35 vjet me të drejtë përsëritjeje deri në 99 vjet. /ekofin.al
