Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit të saj kushtet e negociimit të shoqërisë shtetërore “Kayo”, sh.a., me shoqëri tregtare private për prodhimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël, të mesëm dhe dronëve.
Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të ketë një pjesëmarrje jo më të ulët se 20% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private, sipas këtij vendimi dhe do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar, me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 5000 m2, që do t’i vihen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
Gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, minimalisht:
një vlerë investimi jo më të ulët se 50 milionë euro, si dhe ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit ose montimit të armëve të kalibrave të vegjël, të mesëm dhe dronëve sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë.
Përveç kësaj, administratori/ët i/e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërcituara, zgjidhen/t me dakordësinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a dhe se minimalisht 40% e këshillit drejtues ose këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga “KAYO”, sh.a.
Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”. /ekofin.al
