Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka publikuar Indeksin e Biznesit për vitin 2024, i cili shënoi një rënie në 46.47 pikë nga 100, në krahasim me 47.57 pikë në vitin 2023, duke reflektuar një tkurrje prej -1.10 pikë në perceptimin e përgjithshëm të klimës së biznesit nga anëtarët e saj.
Sipas të dhënave të raportuara, perceptimi i matur direkt i anëtarëve të AmCham për klimën e biznesit në Shqipëri për vitin 2024 mbeti pothuajse i njëjtë, në nivelin 46.36 pikë.
Edhe për vitin 2024, pesë shqetësimet më të mëdha të raportuara nga kompanitë e anketuara mbeten: Gjetja e stafit të kualifikuar vendor, monopoli dhe konkurrenca e padrejtë, ekonomia informale, burokracia qeveritare, niveli i përgjithshëm i taksave të zbatuara.
Pavarësisht një përmirësimi të lehtë gjatë vitit 2024, gjetja e stafit të kualifikuar vendor vazhdon të jetë problem për 73.3% të kompanive të pyetura.
Ndërkohë, perceptimet për disa nga shqetësimet kyçe shënuan rënie: Monopoli dhe konkurrenca e padrejtë: -3.20 pikë, niveli i ekonomisë informale: -1.44 pikë, korrupsioni: -1.66 pikë.
Në mesin e treguesve të monitoruar, “Furnizimi me Energji” dhe “Rendi dhe Siguria në Vend” rezultuan me perceptimet më pozitive për kompanitë anëtare gjatë vitit 2024. Gjithashtu, “Infrastruktura” shënoi një përmirësim të lehtë prej +0.60 pikë.
Nga ana tjetër, marrëdhëniet me autoritetet publike, ndonëse u perceptuan si kryesisht pozitive, shënuan rënie në vlerësim: Marrëdhënia me ministritë: -1.35 pikë, marrëdhënia me qeverisjen vendore: -2.87 pikë, marrëdhënia me gjykatat: -3.50 pikë, perceptimi për ekonominë dhe tregun
Perceptimi i të anketuarve për “Performancën e Ekonomisë Shqiptare” në vitin 2024 ka shënuar rënie me -3.05 pikë, ndërsa “Kërkesa për Mallra dhe Shërbime” në tregun e brendshëm u ul me -3.83 pikë. Në kontrast, treguesi për “Kërkesën për Mallra dhe Shërbime në Eksporte” ka njohur rritje pozitive me +4.69 pikë, duke reflektuar pritshmëri më të larta në tregjet ndërkombëtare.
Për vitin 2025, anëtarët e AmCham shprehin pritshmëri pozitive në disa aspekte kyçe të klimës së biznesit, përfshirë: Klimën e biznesit, performancën e ekonomisë shqiptare, kërkesën për mallra dhe shërbime dhe reformat ekonomike dhe politikën e qeverisë qendrore./ekofin.al
