Banka e Shqipërisë ka hedhur për konsultim dy projektrregullore që synojnë të rregullojnë mënyrën e funksionimit dhe strukturën e tarifave në sistemet e pagesave ndërbankare me vlerë të madhe AIPS dhe AIPS EURO.
Përmes këtyre rregullimeve janë vendosur kufizimet strikte të komisioneve që bankat pjesëmarrëse mund të aplikojnë ndaj klientëve për transfertat brenda vendit, si në lekë, ashtu edhe në euro, me përparësi për pagesat elektronike dhe pa kosto për fondet në mbërritje.
Më herët, BSH kishte reduktuar komisionet përmes ndryshimeve në rregulloren e pagesave me vlerë të vogël AECH.
Ndërsa në ndryshimet më të fundit të propozuara, për komisionet në lekë, neni 14 parashikon që çmimi i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësit për klientët e tyre për të gjitha urdhërpagesat në nisje nëpërmjet AIPS, nuk duhet të jetë më i lartë se 1,500 lekë.
Komisionet e aplikuara nga pjesëmarrësit ndaj klientëve të tyre për investigimin e instruksioneve të pasakta të urdhërpagesave të transmetuara nëpërmjet AIPS, duhet të jenë transparente, të arsyeshme dhe të bazuara në kosto.
Për pagesat e urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve ose nënpjesëmarrësve të tyre dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS, në asnjë rast, nuk duhet të aplikohen komisione për fondet në mbërritje.
Për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve ose nënpjesëmarrësve të tyre dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS, por që janë të iniciuara në formë elektronike, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 40 mijë lekë, nuk duhet të aplikohen komisione.
Për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve ose nënpjesëmarrësve të tyre dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS, por që janë të iniciuara në formë elektronike, me vlerë më të madhe se 40 mijë lekë, komisionet nuk duhet të jenë më të mëdha se 50% e komisioneve të aplikuara për pagesat e iniciuara në formë joelektronike.
Ndërsa sa u përket komisioneve që lidhen me shlyerjene transfertave vendas për klientë në euro, projektrregullorja parashikon që për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve ose nënpjesëmarrësve të tyre dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS EURO, totali i komisioneve maksimum të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë të iniciuar në formë letër, nuk duhet të jetë më i lartë se 50 Euro dhe për çdo urdhërpagesë të iniciuar në formë elektronike, nuk duhet të jetë më i lartë se 25 Euro.
Për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve ose nënpjesëmarrësve të tyre dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS EURO, por që janë të iniciuara në formë letër, pjesëmarrësve origjinues iu lejohet vendosja e një komisioni minimum me qëllim mbulimin e kostove për ofrimin e shërbimit, me kushtin që totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet në asnjë rast të tejkalojë vlerën 4 Euro.
Pjesëmarrësi origjinues mund të aplikojë komisione me vlerë më të lartë se komisioni minimum i lejuar sipas përcaktimeve të shkronjës “a” të kësaj pike, me kusht që totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë me vlerë më të vogël ose të barabartë me 150,000 Euro të mos jetë më i lartë se 0.02% e vlerës së transferuar.
Për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve ose nënpjesëmarrësve të tyre dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS EURO, por që janë të iniciuara në formë elektronike, pjesëmarrësve origjinues iu lejohet vendosja e një komisioni minimum me qëllim mbulimin e kostove për ofrimin e shërbimit, me kushtin që totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet në asnjë rast të tejkalojë vlerën 2 Euro.
Pjesëmarrësi origjinues mund të aplikojë komisione me vlerë më të lartë se komisioni minimum i lejuar sipas përcaktimeve të shkronjës “a” të kësaj pike, me kusht që totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë me vlerë më të vogël ose të barabartë me 150,000 Euro të mos jetë më i lartë se 0.01% e vlerës së transferuar.
Për pagesat e urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve ose nënpjesëmarrësve të tyre dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS EURO, në asnjë rast nuk duhet të aplikohen komisione për fondet në mbërritje.
Komisionet e aplikuara nga pjesëmarrësit ndaj klientëve të tyre për investigimin e instruksioneve të pasakta të urdhërpagesave të transmetuara nëpërmjet sistemit AIPS EURO, duhet të jenë transparente, të arsyeshme dhe të bazuara në kosto, theksohet në projektrregullore. /ekofin.al
