Kërkesa për kredi e bizneseve pritet të rritet edhe në tremujorin e tretë të vitit 2025, si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë, parashikojnë bankat tregtare në vrojtimin e aktivitetit kreditues të BSH për 3-mujorin e dytë të vitit. Ndërkohë, standardet e kreditimit për 3-mujorin e tretë, periudhën korrik-shtator, pritet të mbetet të pandryshuara.
Ndërkohë, kërkesa e bizneseve për kredi raportohet në rritje edhe në 3-mujorin e dytë dhe kjo ndodh për të gjitha kategoritë e bizneseve që po marrin hua kryesisht për të financiar investimet. Kërkesa për kredi për të mbuluar nevojat afatshkurtra për likuiditet u raportua më e ulët.
Shkalla e miratimit të kredive nga ana e bankave për bizneset mbeti e pandryshuar në tremujorin e dytë. Faktorët që ndikojnë në shkallën e refuzimeve për kredi për bizneset shfaqën ndryshime minimale në këtë tremujor. Gjithashtu, edhe kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja disbursuar bizneseve u raportuan të pandryshuar në tremujorin e dytë.
Kjo ka bërë që edhe standardet e kreditimit për bizneset mbetën të pandryshuara në tremujorin e dytë të vitit 2025. Ato u raportuan të pandryshuara në kreditë si për biznesin e madh ashtu edhe për biznesin e vogël e të mesëm. Standardet nuk ndryshuan dhe në kreditë për financimin e investimeve dhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet. /ekofin.al
