Qeveria shqiptare ka shpallur synimin për të eliminuar paraqitjen fizike të parasë, ose siç njihet ndryshe paranë cash deri në fund të kësaj dekade dhe për të kaluar në një ekonomi plotësisht me pagesa digjitale. Qëllimi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi për teknologjinë të premten, duke e cilësuar si një “objektiv ambicioz” që kërkon përpjekje të mëdha.
Deklarata e Ramës solli jo pak reagime edhe në rrjetet sociale, ndaj ekofin.al hulumtoi më tej për të analizuar pak më gjerë opsionet e Shqipërisë për të hequr cash-in dhe si paraqitet situata në ekonomitë më të zhvilluara të BE.
Nisma për reduktimin e parasë fizike është e parashikuar edhe në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, aty ku përmendet se zbatimi i masave konkrete pritet të nisë në vitin 2026. Qeveria synon kufizimin drastik të pagesave me para në dorë si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset. Aktualisht, kufiri për pagesat “cash” nga bizneset është 150 mijë lekë, por pritet të ulet ndjeshëm. Ndërsa për qytetarët nuk ka kufizime për përdorimin e parasë fizike.
Shoqata Shqiptare e Bankave në mënyrë të vazhdueshme ka apeluar për vendosjen e një tavani për pagesat me para në dorë, gjë që do të ndikonte në reduktimin e qarkullimit të parasë cash dhe në formalizimin e ekonomisë. Propozimi i fundit i bërë nga Shoqata e Bankave është që kufiri maksimal për pagesa me para në dorë të jetë në masën 700 euro si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset.
Është e faktuar se pagesat me para në dorë krijojnë hapësira për ekonomi joformale, si për të fshehur burimin jo të ligjshëm të të ardhurave apo për të pastruar paratë. Por, a është Shqipëria gati për të ndërmarrë një reduktim drastik të cash-it brenda një periudhe kaq të shkurtër?
Realiteti: Më shumë para jashtë bankave dhe përfshirje e ulët financiare
Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë (maj 2025) tregojnë se jashtë sistemit bankar qarkulluan 434 miliardë lekë, një rritje prej 10.5 miliardë lekësh krahasuar me fundin e vitit 2024. Me fjalë të tjera, ekonomia shqiptare vijon të mbështetet fort në transaksionet me para në dorë. Madje, paraja cash në vend që të zvogëlohet, po rritet çdo vit.
Nga ana tjetër, vetëm 46% e të rriturve kanë një llogari bankare, sipas raportit të fundit “Global Findex 2025” të Bankës Botërore. Nga 1,000 persona të anketuar, vetëm 35% kanë kryer apo marrë një pagesë digjitale, një shifër që e vendos Shqipërinë shumë poshtë mesatares botërore, që aktualisht është 79%.
Europa nuk ka hequr dorë nga paraja “cash”
Shqipëria nuk është e vetmja që vijon të përdorë para fizike. Në vitin 2024, sipas të dhënave të Bankës Qendrore Evropiane (ECB) dhe De Nderlandsche Bank dhe Deutsche Bundesbank, paratë e gatshme ishin metoda më e përdorur e pagesës në pikat e shitjes në 14 nga 20 vende. Në Slloveni, Maltë, Austri dhe Itali, pjesa e pagesave me para të gatshme është ende mbi 60%, ndërkohë që rezulton më pak se 30% në vende si Finlanda dhe Holanda.
Rumania është një nga vendet më të varura nga paratë e gatshme në Evropë. Paratë e gatshme përbëjnë 76% të transaksioneve dhe 42% e popullsisë mbetet pa llogari bankare, që do të thotë se nuk kanë llogari rrjedhëse ose kursimi. Dhe, Rumania është anëtare e BE-së që nga viti 2007, pra prej 18 vitesh. Shumë rumunë ndihen më rehat duke përdorur paratë e gatshme, duke përmendur se e perceptojnë vlerën e parave të tyre më qartë kur paguajnë në këtë mënyrë.
Nga të gjitha vendet e zonës së euros, konsumatorët holandezë përdorin më shumë metodat digjitale të pagesës në POS. Ata përdorin telefonat e tyre më shumë sesa në vendet e tjera të Eurozonës – në pothuajse një në pesë pagesa. Kjo është dy herë më shumë se konsumatorët në Finlandë dhe Irlandë (10%), të cilët janë tri përdoruesit e tjerë kryesorë të pagesave digjitale.
Sondazhi i BQE-së tregon gjithashtu se një shumicë e madhe e të anketuarve nga të gjitha vendet e eurozonës (62%) mendojnë se është e rëndësishme që tregtarët të pranojnë para në dorë. Nga ky grup, gjysma madje e konsiderojnë “shumë të rëndësishme” që ky opsion të jetë i disponueshëm. /ekofin.al

