Numri i pacientëve që përfitojnë nga trajtimi me dializë në Shqipëri pritet të rritet ndjeshëm në vitet në vijim. Sipas Programit Buxhetor Afatmesëm 2026-2028, deri në vitin 2028 parashikohet që të trajtohen rreth 1,538 pacientë në muaj, me një mesatare prej 13 seancash dialize për pacient. Si rrjedhojë, numri vjetor i seancave pritet të arrijë 240 mijë në vitin 2028, nga 230 mijë të parashikuara për vitin 2026.
Sipas të dhënave zyrtare për muajin dhjetor 2024, në total 1,506 pacientë janë trajtuar me dializë në të gjithë vendin. Prej tyre, 58.7% (884 pacientë) janë ndjekur nga spitale jopublike, 7.6% (114 pacientë) në spitale publike, dhe 33.7% (508 pacientë) në qendrat e Shoqërisë Tregtare “DiaVita Sh.p.k.”, e cila operon përmes kontratës së Partneritetit Publik-Privat (PPP).
Gjatë vitit 2024, janë kryer gjithsej 205,633 seanca hemodialize, të shpërndara: 126,261 seanca janë kryer nga institucionet jopublike, 69,828 seanca nga kontrata me PPP me “DiaVita Sh.p.k.” dhe vetëm 9,544 seanca nga spitalet publike.
Aktualisht, shërbimi i dializës ofrohet nga një kombinim aktorësh: 1 spital publik, 8 institucione jopublike, dhe 1 subjekt koncesionar deri në vitin 2026, për të mbuluar nevojat në nivel kombëtar.

