Euro shënon një tjetër pikë të ulët historike në kursin e këmbimit me Lekun, në një javë që nisi me zhvlerësim të mëtejshëm të monedhës së përbashkët evropiane. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer sot me 97.64, duke zbritur në nivele edhe më të ulëta. Që kur zbriti poshtë “kufirit psikologjik” të 100 lekëve vitin e kaluar, gjatë 2025 euro nuk ka ngritur më kokë, me përjashtim të 30 janarit, kur u kuotua 100.06 lekë. Megjithatë, përgjithësisht për disa muaj, monedha evropiane kishte qëndruar stabël, e lahatur mes 98 dhe 99 lekëve, por tani, me nisjen e sezonit turistik dhe rritjen e prurjeve nga të huajt, euro vijon të zhvlerësohet më tej.
E ndërsa jemi në mes të korrikut, presioni për një zhvlerësim të mëtejshëm është i pranishëm, megjithë përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të stabilizuar kursin, përmes operacioneve të tërheqjes së euros nga tregu. Vetëm gjatë korrikut janë ndërmarrë disa operacioneve të tilla dhe parashikohen të tjera për periudhën në vazhdim. Gjithashtu, sipas ekspertëve, një faktor tjetër, për këtë zhvlerësim të euros, është edhe paraja informale në qarkullim, e cila nuk është e matshme dhe që “thyen” çdo logjikim dhe analizë ekonomike.
Sa i përket valutave të tjera, dollari është forcuar lehtë ditën e sotme, duke u këmbyer me 84.19 lekë, ashtu si edhe paundi britanik, që është këmbyer me 112.76 lekë. Zhvlerësim ka patur veç euros edhe franga zvicerane, që sot është këmbyer me 104.78 lekë. Mbetet për t’u parë dita e nesërme që shënon fundin e kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, nëse do të ketë zhvlerësim të mëtejshëm të euros. /ekofin.al

