Tatimet njoftojnë se vazhdon me intensitet aksioni për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale, nga strukturat e Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Bujqësisë.
Rezultatet e 3 ditëve të para tregojnë qartë nevojën për formalizimin e plotë të këtij sektori, si një garanci për cilësinë, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Tatimet ftojnë ë të gjithë tatimpaguesit të zbatojnë ligjin duke lëshuar faturë fiskale në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, për të siguruar gjurmueshmëri dhe transparencë nga prodhuesi te konsumatori.
Deri më tani, sipas Tatimeve, janë bllokuar 20 ton mallra dhe janë inspektuar 87 subjekte.
Aksioni ka shkaktuar pështjellim dhe reagim te tregtarët në lidhje me faturimin e produkteve.
Pas reagimeve që pasuan ditën e parë të aksionit të tatimeve për formalizimin e sektorit bujqësor dhe atij blegtoral, tatimet kanë reaguar duke theksuar se tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, me shumicë dhe pakicë, do të jenë subjekt kontrolli në terren, për verifikimin e faturës së fiskalizuar, në zbatim të ligjit.
Referuar nenit 8, pika 1, gërma “a” e udhëzimit nr.16, datë 03.04.2020, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, mallrat e blera nga prodhuesit bujqësorë e blegtoralë duhet të shoqërohen me faturë të fiskalizuar, theksojnë tatimet.
Hapat që duhen ndjekur për lëshimin e saktë të këtyre faturave
1. Zgjidhni opsionin “autofaturë”, i cili përmban automatikisht të dhënat e blerësit që po lëshon faturën;
2. Lloji i faturës duhet të jetë “Blerje nga fermerët vendas” (Domestic);
3. Vendosni të dhënat e fermerit shitës (emri dhe NIPT-i);
4. Përshkruani mallrat e blerë, pa llogaritur TVSH-në.
Kujdes. Për të vërtetuar saktësinë e transaksionit dhe origjinën e mallrave të shitur, rekomandohet që fatura të jetë e nënshkruar nga shitësi (fermeri), theksojnë tatimet.
