Qeveria ka autorizuar ministrin përgjegjës për çështjet vendore të negociojë dhe nënshkruajë marrëveshje me njësitë e vetëqeverisjes vendore për krijimin e një subjekti me kompetenca të përbashkëta, në formën e një organizate jofitimprurëse.
Ky subjekt do të shërbejë për zhvillimin dhe kualifikimin profesional të të zgjedhurve vendorë, nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë të administratës vendore, me qëllim rritjen e performancës në shërbim të komuniteteve dhe përballimin e sfidave të integrimit në Bashkimin Evropian.
Mbështetja financiare përfshin kostot fillestare të themelimit dhe të paktën 50% të shpenzimeve operative për tri vitet e para, të parashikuara në buxhetin e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.
Ministri përgjegjës për çështjet vendore sigurohet që, për programet e ofruara, të merret pëlqimi paraprak nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike për miratimin e programit vjetor të trajnimit, pa penguar zhvillimin e realizimin e tij, me përjashtim të rastit kur për module përkatëse vërtetohet se është kryer planifikimi për vitin akademik përkatës nga ana e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, thuhet në vendim.
Vendimi ngarkon ministrin përgjegjës për çështjet vendore, Ministria e Financave dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore për zbatim ndërsa do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./ekofin.al
