Qeveria ka miratuar sot hapjen zyrtare të pikës së kalimit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA), duke i çelur rrugën qarkullimit ajror të udhëtarëve dhe mallrave.
Ky vendim vjen në vijim të përgatitjen për operacionalizimin e aeroportit dhe pason fluturimin e parë certifikues të realizuar më 8 maj 2025, një moment që dëshmoi gatishmërinë e aeroportit për të mirëpritur linjat ajrore ndërkombëtare.
Aeroporti i Vlorës vlerësohet si një investim i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit dhe pritet të kthehet në një pikë të rëndësishme hyrëse për Shqipërinë, veçanërisht për rajonin jugor.
Aeroporti do të ofrojë më shumë aksesueshmëri drejt destinacioneve të jugut dhe Rivierës Shqiptare, duke synuar tërheqjen e më shumë turistëve të huaj dhe nxitjen e investimeve të huaja, por edhe atyre vendase.
Ende nuk ka një datë të njoftuar se kur Aeroporti i Vlorës do të nisë zyrtarisht operimet.