Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë njoftoi se nisi fluturimi i parë direkt nga Rinasi drejt Amsterdamit (Holandë), me kompaninë “TUI fly”.
TIA bën të ditur se, nga kjo javë, çdo të martë dhe të shtunë, do të udhëtohet për në Amsterdam, drejt qytetit të mullinjve me erë, tulipanëve dhe kanaleve ikonike.
Përmes TIA-s udhëtimet dhe linjat e reja direkte, bëhen më të thjeshta, ndërsa destinacionet po shtohen çdo herë.
Hyrja e linjës së re të fluturimit në tregun shqiptar është pjesë e një tendence më të gjerë të interesit në rritje nga kompanitë ndërkombëtare, duke reflektuar atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe investimi.
Kjo linjë e re pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e turizmit hyrës nga Holanda dhe Evropa Perëndimore, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Disa ditë më parë, TIA njoftoi nisjen e dy linjave të reja direkte të operuara nga Transavia: Nantes–Tiranë dhe Bordeaux–Tiranë. Këto linja sezonale forcojnë më tej partneritetin mes TIA-s dhe Transavia-s dhe hapin mundësi të reja për turizmin, si në drejtim të Shqipërisë, ashtu edhe sa i përket tregut francez.
Gjithashtu, TIA mirëpriti në 9 korrik fluturimin e parë të kompanisë ajrore “Jordan Aviation” nga Amani, duke shënuar hapjen e një linje të re ajrore mes Jordanisë dhe Shqipërisë.
Në tetor 2025, kompania Wizz Air do të nisë operimin e tre linjave të reja direkte nga Tirana drejt Malagës (Spanjë), Larnakës (Qipro) dhe Maltës, duke e çuar në 53 numrin total të destinacioneve që ofron kjo kompani nga TIA.
